Nga Violeta Selimi
“Pyet atë që ke në krah se ajo t’i jep shifrat, megjithëse t’i jep shifrat si balonë tabake”.
Kjo fjali e Kryeministrit Rama ditën e hënë, referuar raportit të shtrembër që ka mes shifrave, realitetit dhe opozitës në komunikimin publik, do të keqinterpretohej e keqpërdorej nga partia demokratike si një sulm denigrues ndaj deputetes Jorida Tabaku.
Më tej, kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha do ta kthente në subjekt të një sherri absurd brenda sallës së parlamentit gjatë ditës së martë, në seancën e destinuar për buxhetin 2022.
Lulzim Basha, që nga foltorja e Kuvendit e targetoi rivalin e tij si “një hiç njeri”, i përktheu fjalët e Ramës në gjuhë fyese mbi deputeten demokrate.
Që Basha përdor akuzat personale për kundërshtarin e tij, ky nuk është më një lajm e as çudi, por kur Basha insiston se kundërshtarët e tij janë sadistë që fyejnë e targetojnë gratë e politikës, situata bëhet edhe më hipokrite, ndërsa fyerjen e vërtetë e pëson inteligjenca e qytetarëve dhe e grave që ndjekin aktivisht politikën.
Teksa Lulzim Basha flet për barazi gjinore, ndër mend të vjen seanca e parë e Kuvendit për këtë sesion ku ai etiketon Kryetaren e sapozgjedhur, Lindita Nikollën si MANEKINE, pavarësisht se ajo i lutet të ruajë etikën e deputetit.
Po në të njejtën seancë, Basha i hakërrehet një gruaje në moshë, më të vjetrës së Parlamentit, Luljeta Bozos, duke e urdhëruar në mënyrë vulgare që të pushojë!
Më i turpshëm është rasti kur në legjislaturën e kaluar, Basha deklaron se gratë e qeverisë Rama janë KUKULLA, pa identitet e emër.
Pra Basha, ai që sot për lehtësi e leverdi të komunikimit të tij politik hiqet si mbrojtës i barazisë gjinore dhe dinjitetit të grave, është në fakt politikani që me zë dhe figurë ka shkelur me të dyja këmbët këto dy koncepte kaq të rëndësishme për mirëqënien e shoqërisë sonë.
E në këtë kuptim, vjen një moment kur hipokrizia dhe dyfytyrësia e këtij soji politikanësh bëhet edhe më e neveritshme se sa vetë fyerja që i bëjnë grave.
Sepse Lulzim Basha që quan MANEKINË Lindita Nikollën publikisht, është agresori që na jep ne grave dhe vajzave mesazhin demotivues se sa shumë mund të na kushtojë guximi për t’u angazhuar në një mjedis agresiv si politika.
Lulzim Basha që quan KUKULLA vajzat dhe gratë e politikës dhe pastaj pa kërkuar falje për gabimin e tij, etiketon kë t’i dalë para si dhunues grash, na tregon ne grave dhe vajzave se dy janë rreziqet tona më të mëdha në angazhimin publik: përballja me misogjeninë një dhe dy, hipokrizia e burrecëve në raport me figurën tonë. E dyta, ndoshta është më e rrezikshme se e para!
Më tragjike, por edhe komike bëhet situata kur gratë rreth Bashës, ato që duhet të ishin luftëtaret e para për trajtimin me dinjitet dhe sinqeritet të kauzës së grave në jetën publike, shndërrohen në aktore që vetëm i përshtaten diskursit të tij politik, por jo nevojave të mirëfillta të grave.
I tillë është rasti i gruas më agresive të politikës së momentit, që edhe sot këndoi këngën e vajit për barazinë gjinore, pa guxuar t’i kërkojë ndjesën dhe faljen publike kryetarit të saj që etiketon gratë si kukulla.
Grida Duma, në tërësinë e agresivitetit të saj politik e publik, mbahet mend për një moment ku në studion e emisionit Open i drejtohet demokratit Frrok Cupi me fjalët: Llum, llum, këllirë! Je një llum që s’duhet ta dëgjojnë gratë!
Në fjalët e Dumës në fakt, që ajo i artikulon me revoltë e zemërim, për ironi të fatit, duhet ta gjejë veten çdo politikan si Kryetari i saj, për të cilin gratë janë objekte shumë-përdorimshme në skenën e vjetër politike.