Bayern Munich duket se ka vendosur të reduktojë rrogën e futbollistëve që nuk janë vaksinuar ndaj Covid-19 dhe janë vendosur në izolim.
Protagonisti i kësaj situate është Joshua Kimmich, i vendosur në karantinë pasi ka qenë në kontakt me persona të infektuar. Kjo është hera e dytë për të.
Lajmi është dhënë nga e përditshmja gjermane Bild am Sonntag, që ka marrë si shembull pikërisht rastin e 26-vjeçarit Kimmich, i cili është një nga pesë lojtarët no-vax brenda klubit bavarez.
Nga sa mësohet, drejtuesit e Bayern kanë informuar Kimmich dhe katër të tjerët se rrogat e tyre do të reduktohen nëse do të përfundojnë në izolim. Kështu që Serge Gnabry, Jamal Musiala, Eric Maxim Choupo-Moting dhe Michael Cuisance do të duhet të bëjnë shumë kujdes.
Kujtojmë se të enjten, gjatë një mbledhje të Komitetit të krizës me kancelaren në largim, Angela Merkel, dhe kryetarët e Rajoneve, është vendosur të aplikohet rregulli ‘2G’ në të gjithë vendin, sapo numri i të shtruarve shkon mbi 3 pacientë Covid për 100.000 banorë.
Kjo normëlejon vetëm të vaksinuarit dhe të shëruarit të kenë akses në vende publike si restorantë, kinema, salla koncertesh ose ngjarje sportive. Një problem me të cilin Bayern ka qenë i detyruar të përballet edhe më parë.