Kompania farmaceutike BioNTech ka konfirmuar se ka filluar të punojë për një vaksinë të re të mundshme kundër llojit të ri Omicron të koronavirusit.
Zëdhënësja e kompanisë BioNTech, Jasmina Alatoviç tha se po hetojnë llojin e ri Omicron për të kuptuar nëse vaksinat ekzistuese janë efektive ndaj tij dhe në të njëjtën kohë po punojnë për një version të ri të mundshëm të vaksinës COVID-19.
”Hapat e para të zhvillimit të një vaksine të re mbivendoset me kërkimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse do të nevojitet një vaksinë e re”, tha përmes postës elektronike Alatoviç duke shtuar se kjo punë ka filluar tashmë që nga e enjtja e kaluar.
Ajo tha se kjo ka qenë një procedurë standarde pas shfaqjes së llojeve të tilla.
Varianti Omicron, i cili për herë të parë u zbulua në Afrikën Jugore, klasifikohet si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi shkencëtarët zbuluan më shumë se 30 mutacione të tij.
Akoma nuk është e qartë nëse Omicron është më i transmetueshëm duke shkaktuar sëmundje më të rënda apo më rezident ndaj dozave aktuale dhe rezultatet e para nga studimet aktuale pritet të dalin brenda dy javësh.
BioNTech, e themeluar nga emigrantë turq në Gjermani, si dhe partneri i saj amerikan Pfizer javën e kaluar thanë se do të prodhojnë dhe shpërndajnë një version të ri të vaksinës COVID-19 brenda 100 ditëve nëse studimet mjekësore arrijnë në përfundim se vaksinat aktuale janë më pak efektive kundër llojit të ri të koronavirusit.