Claude Viver le Got është një akademike franceze e dashuruar me vendin tonë prej më shumë se 20 vjetësh. Fillimsht erdhi me bashkëshortin e saj në Shqipëri për një mision diplomatik, por më vonë birësuan një fëmijë shqiptar duke krijuar lidhje të ngushta me shtetin ton.
Në një intervistë për emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus, ajo ishte e ftuar së bashku me djalin e saj Corentin le Got, ku shprehu haptazi dëshirën që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
“Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian sepse unë mendoj se është e thjeshtë të krijosh një familje sepse kemi vlera të përbashkëta,vlera europiane. Kur Corentin është këtu në Shqipëri, kur unë jam këtu në Shqipëri ndihemi në shtëpi sepse i ndajmë të gjitha këto vlera” tregoi Claude.
Corentin nuk e mohon origjinënn e tij dhe gjakun shqiptar që ka, megjithatë punët e tij me shqipen nuk janë të mira.
“Për mua është shumë problem sepse nuk di asnjë fjalë. Asgjë. Por kam një projekt në të ardhmen, kështu që do ta mësoj shqipen shpejt”, shprehet Corentin.
Ndërkohë, mamaja e tij nuk e ka harruar plotësisht shqipen, edhe pse kanë kaluar 20 vjet qëkur ajo nisi ta mësojë për t’u përshtatur me jetesën në në Shqipëri. Mes të qeshurash, ajo zbulon se gjuha shqipe është e nevojshme për të, sidomos kur është në Tiranë dhe ka nevojë të parkojë makinën.