Në Kuvend ka nisur mëngjesin e së martës seanca plenare për shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2022.
Veç shqyrtimit të projektbuxhetit sot në seancë do të shqyrtohen edhe projektligjet “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, “Për disa shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
Në nisje të seancës së sotme ministrja e shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi u shpreh ndër të tjera buxheti në shtet për fëmijët thuhet se është shumë i vogël, por sipas saj është më mirë seç ka qenë më parë.
Ajo shtoi se me fonde të të tretëve, 500 milionëshi do të dyfishohet.
Muzhaqi tha se i ka dëgjuar nga afër nevojat dhe dëshirat e fëmijëve e të rinjve, jo vetëm në Tiranë por edhe ë rrethe, dhe shtoi se i vjen mirë që sheh të rinj që duan t’u largohen kafeneve.
“Ne do krijojmë qendrat e kodimit, që të përgatisim të rinjtë në qendrat e kodimit. Për t’i përgatitur ata për një të ardhme digjitale…Shoh të rinj që duan t’u largohen kafeneve dhe janë më largpamës për vendin e tyre seç mund të jetë kjo sallë këtu.”
Po ashtu, ministrja Muzhaqi u bëri thirrje deputetëve në sallë që të kujdesen për mënyrën sesi flasin dhe të mbajnë parasysh se çfarë shembulli u japin fëmijëve. Kujtojmë se të hënën, pas 11 orësh diskutimesh Kuvendi ndërpreu punimet për diskutimin në parim të projektbuxhetit dhe paketës së re fiskale dhe punimet rinisën sot në orë 09:00.