Projekti i Superligës rrezikoi të krijonte një përçarje brenda futbollit evropian. Ndalimi i procedimit nga Gjykata e Madridit për tri klubet e fundit “rebele” (Juventus, Real Madrid dhe Barcelona) më pas riktheu pjesërisht vrullin dhe ambiciet e atyre që duan t’i japin një fytyrë të re futbollit evropian.
I këtij grupimi të fundit është Giorgio Chiellini, i cili, duke folur për “Linea Diletta” në DAZN bëri një bilanc për uljen e numrit të ndeshjeve në Serie A. Ai propozon rikthim në të shkuarën për sa i përket numrit të skuadrave pjesëmarrëse, për të favorizuar kësisoji aspektin cilësor të kampionatit elitar italian:
“Unë kam disa vite që flas me presidentin Agnelli. E ardhmja e futbollit botëror po shkon drejt një evropianizimi të futbollit ndërkombëtar. Lojtarët e Juves, si edhe tifozët, duan të luajnë më shumë dhe të shohin ndeshje të nivelit evropian. Me gjithë respektin, por numri i skuadrave në Serie A është i tepërt.
Numri i duhur do të ishte 18 ose ndoshta edhe 16 skuadra, por mendoj se 18 është numri i duhur. Kemi arritur një pikë pa kthim. Besoj se institucionet, klubet dhe lojtarët duhet të mblidhen për ta reformuar kalendarin, për të krijuar gara të reja, për t’i dhënë shtysë të re këtij sporti, që për mua mbetet më i bukuri në botë, por për mendimin tim mund të përmirësohet shumë”.