Tottenhami i Antonio Contes tashmë e ka kaluar Manchester Unitedin në tabelën e Premierligës dhe është katër pikë prapa vendeve që dërgojnë në Champions League.

Tottenhami e mposhti Leedsin me rezultat 2:1 dje, duke i dhënë Contes fitoren e pare si trajner i “Spurs”, shkruan Gazeta Express.

Para pushimit ndërkombëtar, ai pati një barazim 0:0 ndaj Evertonit në ndeshjen e pare kampionale si trajner i Tottenhamit.

Conte arriti në Londrën Veriore pasi fillimisht ishte konsideruar për punën te Manchester Unitedi në fund të tetorit. Sidoqoftë, “Djajtë e Kuq” vendosën të qëndrojnë me Ole Gunnar Solskjaer, duke e humbur mundësinë ta marrin ish-trajnerin e Interit dhe Juventusit.

Tottenhami ishte dy pikë prapa Manchester Unitedit kur Conte erdhi në Londrën Veriore, teksa tani United ka 17 pikë, ndërsa Tottenham dy më shumë.

Trajneri italian e ka bërë top-4shen objektivin e tij këtë edicion.

“Ne kemi një ekip të ri me hapësirë ​​të mjaftueshme për përmirësim. Nuk kemi shumë përvojë, por duhet ta kompensojmë me punë të palodhur dhe entuziazëm. Do të ishim të lumtur të fitonim një top-katërsh, kjo do të thotë të kapërcejmë një nga katër klubet më të mira”, tha Conte.