Shkalla e incidencës shtatëditore në Gjermani është rritur në nivel rekord, në 386,5 infeksione të reja të koronavirusit për 100 000 banorë, deklaroi instituti ”Robert Koch” (RKI).
Norma është rritur nga 372,7 një ditë më parë dhe 303,0 një javë më parë duke konfirmuar kështu përhapjen e shpejtë të Covid-19.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se kishte 30 643 raste të reja dje, një rritje e konsiderueshme nga një javë më parë, kur u raportuan 23 607 infeksione të reja.
Të dhënat e infeksionit të së hënës e çojnë totalin në Gjermani në 5 385 585, megjithëse zyrtarët besojnë se totali aktual është dukshëm më i lartë pasi shumë raste nuk njihen.