Vaksinimi kundër COVID-19 do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë qytetarët e moshës mbi 60 vjeç, njoftoi sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një deklarate hapëse në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar.
“Me këtë vendim politik jam i sigurt se do të shpëtohen jetë njerëzish”, tha kryeministri, duke shtuar se deri në datën 16 janar të gjithë qytetarët e pavaksinuar mbi moshën 60 vjeç duhet të kenë rezervuar datën për dozën e parë të vaksinës dhe se atyre do t’u jepet përparësi për vaksinimin.
“Përndryshe, çdo muaj do të ketë, për secilin, një gjobë administrative prej 100 eurosh, që do të lëshohet nga Autoriteti i të Ardhurave Publike (AADE) dhe këto para do të mblidhen në një fond të veçantë që do të financojë spitalet tona”, shtoi Mitsotakis.
Një masë shtesë u njoftua përpara periudhës së Krishtlindjes: sigurimi i një autotesti falas për çdo të rritur nga 6 dhjetori deri më 12 dhjetor dhe nga 3 janari tërë janarin, me qëllim identifikimin e bartësve të mundshëm asimptomatikë të virusit, si edhe për të monitoruar më mirë progresin e transmetimit të pandemisë gjatë festave të fundvitit.