Autoritetet shëndetësore gjermane regjistruan një rekord të ri të infeksioneve me koronavirus në 24 orët e fundit dhe deklaruan se vendi po përballej me një “urgjencë serioze”.
Instituti ”Robert Koch” (RKI) raportoi 65 371 të infektuar duke tejkaluar shifrën 60 000 për herë të parë.
Incidenca shtatëditore ishte 336,9 për 100 000 të popullsisë, nga 249,1 një javë më parë dhe vetëm 74,4 të një muaji më parë.
“Po hyjmë në një emergjencë të madhe. Do të kemi një Krishtlindje jashtëzakonisht të pakëndshme nëse nuk veprojmë për ta ndaluar atë”, deklaroi presidenti i RKI, Lothar Wieler.
Saksonia aktualisht ka shkallën më të lartë të infeksionit në mbarë vendin me një incidencë shtatëditore prej 742,2 për 100 000 banorë.
Gjatë ditës, kancelarja në largim Angela Merkel do të zhvillojë bisedime me kryeministrat e 16 landeve.