Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë hequr ndalimin e udhëtimit për personat e vaksinuar, vendim i cili është zbatuar prej rreth 20 muajsh për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Duke filluar nga dita e sotme, SHBA-ja ka filluar të pranojë pasagjerë në aeroporte dhe kufijtë tokësorë që kanë përfunduar vaksinimin e tyre, duke u dhënë fund kufizimeve të Covid-19 që datojnë që nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

Sipas vendimit të ri, pasagjerët që duan të hyjnë në SHBA duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar dhe të kenë rezultat negativ të testit COVID-19.

Ndërkohë, vizitorëve që vijnë nga Meksika dhe Kanadaja nuk do t’u kërkohet test.

Me heqjen e ndalimit pritet të shtohen fluturimet nga Evropa dhe rajone të tjera.

Sipas të dhënave të udhëtimit dhe kompanisë analitike ”Cirium”, fluturimet midis SHBA-së dhe Britanisë së Madhe janë rritur 21 për qind nga muaji i kaluar.

Gjithashtu thuhet se rregullorja e re do të shkaktojë lëvizshmëri të madhe në kufijtë e Kanadasë dhe Meksikës, ku kishte shumë hyrje-dalje në rrugë tokësore përpara pandemisë.

Pasagjerëve që duan të hyjnë në SHBA me transport ajror do t’u kërkohet të dëshmojnë se janë vaksinuar plotësisht dhe pasagjerët që nuk mund të vërtetojnë vaksinimin mund të përballen me gjoba deri në 35 000 dollarë për shkelje.