Nga Alban Daci/
Në një vend demokratik, një, dy apo disa persona kanë të drejtën e tyre të mblidhen ku të duan, në formë paqësore, kanë të drejtë të quhen si të duan, apo edhe të themelojnë partinë e radhës, pas thuajse 200 që i ka tashmë Shqipëria!
Disa demokratë, ish drejtues apo drejtues aktual të PD kanë vendosur të mblidhen me datë 11 dhjetor. Kjo është e drejtë e tyre, sigurisht! Nëse mund ta konsiderojnë këtë mbledhë si mbledhje të Kuvendit të PD, kjo nuk më takon mua të jap përgjigje, sepse PD ka organet e saj, të gjitha legjitime që mund të përgjigjen sipas formës organizative dhe Statutit! Megjithatë, mua më intereson të përpiqem të gjej disa përgjigje parimore, që janë shumë më të rëndësishme për demokratët e thjeshtë, për shqiptarët dhe për të ardhmen!
Pse e mbledhin këtë takimin me datë 11? E mbledhin me një qëllim të vetëm për të rrëzuar Bashën që e votuan të gjithë me një anëtar një votë, duke e konfirmuar edhe për një mandat tjetër! Konfirmimi i Bashës nuk ndodhi para zgjedhjeve që të justifikohej një qëndrim ndryshe ndaj tij pas zgjedhjeve! Kjo lëvizje kundër Bashës erdhi pas një vendimi të SHBA-ve për “Non grata”! Për disa që e keqinterpretojnë vendimin “Non grata” për qëllime politike e disa të tjerë që e argumentojnë nga injoranca, vendimi i SHBA-ve është tashmë fakt i kryer dhe me prova apo pa prova, finalja e qëndrimit të SHBA-ve nuk ka asnjë rëndësi! Pra, ata që kërkojnë prova në fakt po kërkojnë “gjilpërën në kashtë”. Por, le të kthehemi, tek mbledhja e 11 dhjetorit! A sjellë ndonjë të re ky takim?
Përgjigja kryesore që duhet të japin ata që duan të mblidhen me date 11 dhjetor është për “Non gratat” e SHBA-ve dhe ku është përgjigja e tyre? Ata vijnë në këtë takim me iniciusin kryesor subjekti që është “Non grata” me propozimin për kryetar të PD e me shpresën për kandidat për Kryeministër! Në diplomaci dhe përballë SHBA-ve kjo do të konsiderohej çmenduri e guximshme! Në planin real është sëmundje e rënduar e unit për pushtet, për të sakrifikuar këdo vetëm për veten!
Një nismë politike, jashtë rendit bëhet për të sjellë stabilitet dhe risi! 11 dhjetori nuk sjellë as të parën e as të dytën, por zyrtarizon për herë të parë e sidomos brenda PD në nivel politik antiamerikanizmin! Nëse, në Shqipëri kishim deri tani ish Partinë e Punës të vetmen kundër SHBA-ve, për fat të keq pas 11 dhjetorit kemi një qëndrim të tillë paralel nga ata që e themeluan PD mbi vlerat Perëndimore të demokracisë! A ka risi në planin organizativ politik 11 dhjetori? PD ka më shumë se kurrë nevojë për hapjen ndaj gjeneratave për të qenë forcë bindëse! Ndërsa 11 dhjetori është tentativë konkrete për ta uzurpuar në “tokë të zanun” dhe shuan shpresën për të rihapur PD dhe për të qenë kjo e fundit një derë e hapur për ata të rinj që për arsye që dihen janë lënë jashtë saj! Mesazhi mbylljes vjen nga fakti se nismës të datës 11 dhjetor i janë bashkuar pikërisht ata që ju kishte mbaruar me kohë mandati në forumet drejtuese dhe vetëm pse Basha me të drejtë hapi garën, ata u rreshtuar menjëherë kundër tij! Ky është një sinjal i qartë se atyre ju intereson vetëm pushteti dhe përdorimi i demokratëve për interesa personale! 11 dhjetor për të qenë i besuar duhet të jetë edhe një alternativë! Me cilën alternativë vijnë ata të 11 dhjetorit që duan të heqin Bashën? Të heqin atë dhe të vendosin atë tjetrin që ka 30 vjet e sot me një dallim shumë të madh politik, sepse mbi supe ka edhe një vendim “Non grata”! Sipas meje, 11 dhjetorin ta quajnë si të duan, nuk më shqetëson kjo, por parimisht ai jo vetëm është pa vend por jashtë në kohë dhe hapësirë!