Nëse në iniciativën “Balkani i Hapur” nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë, deklaroi sot i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë një fjalimi ‘online’ në konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.

Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.
Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Escobar paralajmëroi që në mesin e sfidave të “Ballkanit të Hapur” mbesin kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.

“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan ‘Ballkanin e Hapur’ të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar.

Siç theksoi ai, në iniciativën rajonale duhet të ekzistojë barazi për të gjithë qytetarët dhe projektet dhe nuk duhet të ketë diskriminim në bazë të përkatësisë etnike.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor shtoi se SHBA-ja është e gatshme që të ndihmojë iniciativat rajonale, nëse ato nuk i pengojnë integrimet evropiane.

“Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të arrini standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha Escobar.

Është koha që të lirohet potenciali ekonomik i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre evropiane, theksoi gjatë fjalimit të tij, Ambasadori Amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

“Përkrahim planin e Ballkanit të Hapur, gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sigurojë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit e shërbimeve”, theksoi ai.

Rama: “Ballkani i Hapur” mund ta ndihmojë Serbinë dhe Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë adresimit të tij online ka thënë se nuk u takon anëtarëve të iniciativës të bindin këdo që “Ballkani i Hapur” është vërtet i hapur.
Ai theksoi se as supozimi që iniciativa nuk është e hapur për anëtarë të tjerë nuk është i vërtetë.

Sipas Ramës, “Ballkani i Hapur” është kompatibil me Procesin e Berlinit, iniciativë të cilën e themeloi kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së.
Megjithatë, Rama shprehi pakënaqësi për faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë disa vjet presin nga Brukseli datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë… Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas vlerësimeve të Ramës, “Ballkani i Hapur” mund të ndihmojë që të zgjidhet problemi mes Serbisë dhe Kosovës, sepse ‘problemet mund të adresohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë’.

Kryeministri i Shqipërisë tha se do të ishte shumë i lumtur kur të dy partnerët, BE-ja dhe SHBA-ja do të deklaronin që “Ballkani i Hapur” është ‘iniciativë e mirë’.

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.
Nisma fillimisht është quajtur “Mini- Shengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.