Nga Carlo Bollino
Në fund të një analize “të hollë” politike gjatë Foltores në Burrel, zoti Luan Bahilika, ish-kryetar i komunës Rrukaj në kohën e Berishës, e deklaroj se faji kryesor i Lulzim Bashës është që “nuk ka rrahur dhe nuk ka mbajtur nën kontroll Carlo Bollinon dhe Frrok Çupin që na kanë dëmtuar shumë“. Sigurisht që Bahilika e mbivlerëson shumë kontributin tim, ndërsa doktori e dëgjon me qejf.
Bahilika flet për servilizim të pastër, pasi ka dëgjuar të përsëritur shumë herë pikërisht nga Berisha se janë investigimet e mia gazetareske që kanë bindur Departamentin Amerikan të Shtetit që ta deklarojë Non Grata! Tjetër ekzagjerim ky.
Por a është me të vërtetë vetëm fanatizëm dhe urrejtje kjo që po gjeneron Foltorja, siç duket nga jashtë rrethit të ngushtë të militantëve më ekstremistë?
Ashtu si “katarsisi” që Fatos Nano ndërmori në vitin 2001 brenda Partisë Socialiste, për të pastruar “krijesën e tij” politike nga armiqtë e brendshëm, ashtu edhe Partia Demokratike po përjeton katarsisin e vet. Inati i Fatos Nanos, që shfaqi publikisht rrobat e palara të drejtuesve të partisë e të familjes socialiste, është i ngjashëm me inatin që Sali Berisha po shpreh në foltoren e tij pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së dhe që e shtyn me non-chalance të vjellë në fytyrën e sekretarit të partisë së tij akuza dhe përgjegjësi shumë të rënda. I pakujdesur për faktin, se ato akuza dhe ato përgjegjësi (nëse janë të vërteta) i përkasin atij, njësoj siç i përkasin Bashës.
E njëjta paradigmë vlen për hir të së vërtetës edhe për Bashën, i cili tashmë i detyruar t’u përgjigjet akuzave të ish babait të tij politik, duket se nuk e vë re se, duke akuzuar Sali Berishën, për shembull për lidhje me krimin e organizuar, fshin tetë vite të betejave politike të PD-së për dekriminalizimin e politikës, bazuar në parim se PD ishte larg bandave. Pra, pas narko-qeverisë së evokuar prej vitesh nga Berisha dhe nga Basha, zbulojmë ekzistencën edhe të një narko-opozite, e zbuluar sot nga Berisha dhe Basha, pas së cilës fshiheshin prej 8 vitesh.
Siç ndodh me të penduarit që rrëfejnë krimet e kryera nga banda e vet, kështu sot Luli dhe Saliu, të ndjekur nga kori i mbështetësve respektivë, po i zbulojnë opinionit publik vetëdijen mbi kalbjen që ekzistonte edhe në shtëpinë e tyre, por që as ata vetë dhe as analistët e tyre nuk kanë pasur kurrë kurajon ta denoncojnë. Dhe duke qenë se të gjithë ishin të vetëdijshëm, të gjithë janë edhe të përfshirë.
Këto javë të para katarsisi PD-ist jo vetëm që po shkërmoqin tetë vite leksione morale të shpërndara nga politikanë gjoja-demokratë, por po banalizojnë edhe vite e vite debatet televizive me gazetarë pseudo-investigativë dhe me analistë pseudo-liberalë, të gjithë flamujmbajtës të një Partie Demokratike që e pretendonte veten etikisht superiore, por që, pikërisht siç pohonim ne dhe pak të tjerë, ishte një forcë politike shumë më e kalbur dhe e korruptuar nga sa donte të dukej. Nëse katarsisi i Nanos i përkiste vetëm disave prej eksponentëve të Partisë Socialiste, katarsisi i ndërmarrë nga Berisha po arrin të përfshijë ne fakt një perimetër shumë më të gjerë fajtorësh dhe po bën të rrëzohet mali i hipokrizive dhe gënjeshtrave mbi të cilat opozita, që nga 2013 deri më sot, ka zgjedhur të ndërtojë aksionin e vet politik.
Pas vitesh e vitesh që po denoncojmë strategjinë e shpifjeve dhe të linçimit të kundërshtarëve politikë (përfshi dhe të ne gazetarëve që e mendonim ndryshe) sot PD po zbulon horrorin e kësaj metode, pasi tani i është kthyer kundër. Kështu pra, ja që edhe Lulzim Basha e përshkruan i neveritur këtë politikë: ‘Me një stil linçues të tijin personal dhe të një grupi të ngusht njerëzish të tij që veprojnë sa në sytë e publikut, sa në ilegalitet, figura të dyshimta, të cilat disa prej tyre vijnë dhe nga jashtë Shqipërisë, që pretendojnë se janë ata që nuk janë, të cilët përdorin një gjuhë linçuese, përdorin gënjeshtrën, spekullimin për të fshehur një të vërtetë të thjeshtë, Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA-të” tha lideri demokrat duke iu referuar Sali Berishes.
Përdorimi i ”gënjeshtrës dhe i spekulimit”, është çka i kemi kundërshtuar prej vitesh Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, por që ata vazhduan t’i përdorin me këmbëngulje e që pjesërisht, vazhdojnë ta bëjnë ende.
Ç’mund të thuhet për të kaluarën e errët të disa eksponentëve të PD-së, nga 1992 e tutje, që ne e kemi kontestuar në qindra raste duke nënvizuar se historia e lidershipit të një partie ka rëndësi pasi përcakton karakterin e impenjimeve në të ardhmen? U linçuam nga PD dhe nga analistët e saj për këtë konsideratë të thjeshtë, por sot edhe vetë Lulzim Basha e pranon:
‘‘Që nga sjellja iliberale ndaj opozitës në periudhën 92-97. Që nga qëndrimi ndaj korrupsionit në radhët tona të një grushti njerëzish, një pakice absolute që njollosi punën e mijëra demokratëve gjatë qeverisjes 2005-2013, ku ne shënuam arritje të mëdha për shqiptarët, për të cilat jemi e duhet të jemi krenarë, por nga ana tjetër po kështu pati një grusht njerëzish të cilët përfituan në kurriz të sakrificës së demokratëve dhe që sot i shohim si rregull të ulur në radhën e parë të takimeve të Sali Berishës me lugë në brez, gati për të shkelmuar përsëri sakrificën e demokratëve apo për të luajtur me emocionet e demokratëve’‘ tha lideri i PD pak ditë perpara.
E çfarë mund të thuhet për principin sipas të cilit në demokraci është shumica e zgjedhur ajo që vendos dhe se nuk mund të konsiderohet një puç fakti se pakica, në fund të fundit, është e detyruar të pranojë edhe vendime për të cilat nuk është dakord? Pozicioni ynë dukej eversiv kur e përsërisnim nëpër debate televizive, i kundërshtuar me ofendime dhe etiketime nga vetë eksponentët e PD-së, të cilët sot e propozojnë si rregull liberal. Duke filluar që nga Edi Paloka, për shembull, që sot e ka kollaj të ndryshojë mendim dhe të thotë se “në demokraci vendos shumica dhe pakica duhet të pranojë”. Ai i referohet 4200 firmave të mbledhura nga Berisha për të thirrur Kuvendin e partisë. Ndërsa ne i referoheshim funksionimit demokratik të Kuvendit të gjithë shqiptarëve.
Prej 4 vitesh pësuam agresionin verbal të opozitës vetëm se kundërshtuam PD-në dhe ushtrinë e analistëve që e mbështeste, se ishte një vetëvrasje vendimi i bojkotit të reformës territoriale, djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore, ndërsa sot Basha dhe Berisha të mbështetur nga analistët respektivë, kanë filluar ta mendojnë si ne dhe shkëmbejnë akuza të zjarrta duke u përpjekur t’ja shkarkojnë njëri-tjetrit përgjegjësinë e atyre zgjedhjeve të konsideruara më në fund të gabuara.
Ashtu siç përsëritëm ne për muaj e muaj, tani edhe për Berishën dhe për pjesën e PD-së që e ndjek, zgjedhjet e 25 prillit nuk janë më një masakër elektorale e organizuar nga Edi Rama, por vetëm një rezultat i gabimeve politike të bëra nga PD. Edhe Basha reshti së përsërituri fabulën e masakrës duke ja hedhur fajin Ilir Metës dhe LSI-së, pra njëkohësisht dhe mbi Berishën që ka bërë tifozllëk të fshehtë përherë për ta.
Ky katarsis është revolucionar pasi po përfshin edhe atë që ka mbetur nga LSI, me Monika Kryemadhin që zbulon lidhjet e PD-së me bandat e përdorura ”për t’i vjedhur votat e saj në zgjedhjet e 25 prillit” dhe me Ilir Metën që zbulon paktet sekrete të bëra me opozitën në 2019 për të shtyrë zgjedhjet administrative. Një pakt totalisht antikushtetues që shkel pavarësinë e Kryetarit të Shtetit dhe që pikërisht për këtë arsye është mbajtur sekret deri më sot.
Katarsisi socialist nuk i solli mbarësi protagonistëve të saj: Fatos Nano humbi zgjedhjet që pasuan duke lënë përfundimisht politikën dhe Ilir Meta pasi dha dorëheqjen si kryeministër, u detyrua të largohej nga PS. Nuk dimë si do të përfundojë katarsisi demokrat, edhe pse është e qartë që tani, se asgjë nuk mund të kthehet më si më parë. Ana pozitive është se kjo lëvizje po kthen të vërtetën brenda debatit politik opozitar duke zbuluar gënjeshtrat dhe inkoherencën e protagonistëve të saj: Sinteza perfekte e kësaj hipokrizie gjendet në figurën e dhëndrrit të Sali Berishës, Jamarbër M. që nën mburojën e partisë shtirej si ambjentalist, ndërsa betonizonte gjysmën e Tiranës duke akuzuar të tjerët për pastrim parash, pa ushqetësuar të justifikojë pasuritë e tij marramendese dhe të papritura.
Sali Berisha tashmë përfaqëson të shkuarën, të cilin historia, edhe më përpara se Departamenti Amerikan i Shtetit, e ka dënuar përfundimisht. Lulzim Basha, i detyruar nga ngjarjet, më në fund vrau babain e tij politik dhe siç i ka ndodhur kujtdo tjetri që ka dalë nga sfera diabolike e Berishës, po tregon tani një identitet më të lirë dhe të guximshëm. Për të, sfida është e dyfishtë: krah asaj politikes, po përjeton edhe një katarsis personal. Mbetet për t’u parë, nëse nuk ka nisur tepër vonë.