10 fitore të arritura në 11 ndeshje dhe në krye të renditjes, në bashkëjetesë me Napolin. Milani ka pasur një fillim të jashtëzakonshëm të kampionatit, aq sa ka fituar me të drejtë një vend në mesin e favoritëve të mëdhenj për triumfin final, titullin.
Skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli luan mirë dhe fiton shumë. Gjatë javëve të fundit ka treguar gjithashtu se mund të jetë më e fortë se sa pengesat e shumta që është thirrur t’i përballojë. Olivier Giroud, në një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”, ka thënë se beson te “Scudetto”:
“Pse nuk duhet të besojmë? Në kampionat po bëjmë shumë mirë, luajmë futboll të bukur dhe kemi mundësi të ndryshme. Ne jemi një ekip i ri, që do të rritet shpejt. I njihja cilësitë e Leaos, por talenti i tij nga afër është vërtet i pabesueshëm. Megjithatë, Tonalin nuk e njihja, i cili më bëri përshtypje për volumin e lojës dhe cilësinë. Dhe pastaj ka djem si Gabbia e Daniel Maldini që do të rriten shpejt”.
Sulmuesi francez shpjegoi se çfarë e befasoi më shumë nga Stefano Pioli: “Energjia. Ai transmeton forcë pozitive, por jo vetëm kjo: është pranë lojtarëve dhe nëse ka diçka për të thënë, e thotë. Taktikisht është shumë i mirë, sepse di edhe të përshtatet me kundërshtarët. Duhet të përmirësohet në anglisht dhe frëngjisht. Po bëj shaka, ndër të tjera, frëngjishtja e tij është e mirë”.