Deputetja Blerina Gjylameti ka folur në emër të grupit parlamentar të PS-së në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm duke thënë se është buxheti më i mirë që vendi mund të kishte, duke qenë se vjen nga një kohë e vështirë, siç ishte kurimi i plagëve të hapura nga tërmeti dhe pandemia.
“Në këto dy vitet e fundit të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat që jemi përballur, ka qenë një situatë aspak normale, në fillim dy goditjet e tërmetit, dhe sot pandemia. Shumëkënd në fillim kritikoi masat e marra, duke i quajtur të ashpra për biznesin, koha tregoi që janë marrë në kohën e duhur. Si qytetare e di që biznesi ka pasur kohë të vështira, ashtu si dhe familjet, më vjen mirë që sikurse ishim zotuar në fillim, bizneset u mbështetën me pagat e luftës, dhe u lehtësuan duke u përjashtuar nga TVSH.
Ky buxhet nuk është më perfekti, por është më i miri në kushtet e vendit tonë. Investimet publike përbëjnë një nga faktorët më të rëndësishëm për rritjen ekonomike, dhe punësimin. Më vjen mirë që ndryshe nga ju, rrugët i latë rrugëve, ne i përfunduam ato. Ky buxhet ka një mbështetje të madhe për shtresat në nevojë, edhe për të përndjekurit, apo për bonusin e bebeve. Rritje me 10% e ndihmës ekonomike për të gjithë familjet, 20% për familjet që kanë më shumë se 3 fëmijë, dhe me 30% për gratë e dhunuara.
Ka rritje pagash për arsimin, shëndetësinë dhe forcat e armatosura. 20 miliardë lekë synojnë të përfundojnë procesin e rindërtimit. Ne kemi pasur konsulta të vazhdueshme me grupet e interesit, për të parë si përkthehen investimet te qytetarët”, u shpreh Gjylameti gjatë fjalës së saj.
Ajo iu bëri thirrje dhe depuetëve të opozitës që të votojnë pro këtij Buxheti.