Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja zhvilloi sot një takim me drejtuesin e ri të Policisë së Qarkullimit Rrugor, Altin Qato.
Gonxhja bëri të ditur se me Qaton diskutuan mbi një mentalitet të ri marrëdhënieje DPSHTRR – Polici Rrugore.
Gjithashtu në takim u bisedua mbi projekte e nisma për sigurinë rrugore dhe goditje të abuzivitetit absolut që gërryen prej vitesh transportin rrugor.
Të dy bashkëbiseduesit u angazhuan për disiplinim të sektorit të autoriparimeve, bashkim forcash për ndërveprim informatik e në kohë reale, koordinim me Taskforcën e Transportit Rrugor dhe Policinë e Shtetit.
“Me Drejtuesin e ri të Policisë së Qarkullimit Rrugor, Altin Qato, për nisjen menjëherë të punës, aty ku kemi bashkëpunim në proces, por sidomos për një mentalitet të ri marrëdhënieje DPSHTRR – Polici Rrugore, mbi projekte e nisma për sigurinë rrugore, goditje të abuzivitetit absolut që gërryen prej vitesh transportin rrugor, linjat dhe operatorët, sinergji për risi e inovacion në kontrollin rrugor, angazhim për disiplinim të sektorit të autoriparimeve, bashkim forcash për ndërveprim informatik e në kohë reale, koordinim me Taskforcën e Transportit Rrugor dhe Policinë e Shtetit, krijimin e një ure komunikuese 24/7 mes dy institucioneve tona sa i takon çdo situate monitorimi e verifikimi me qëllim masash ndaj mjeteve jashtë normave, pa targa të vlefshme, pa taksa e pa kolaudim, pa licenca e pa certifikime”, shprehet Gonxhja.