Në Muzeun Historik Kombëtar, është hapur ekspozita me titull “Ëndrrat që mbartim” nga fotografi Renuar Locaj. Një ekspozitë ndryshe nga ajo cfarë kemi parë, jo vetëm nga artisti, por edhe nga ekspozitat e fotografive të hapura deri më tani në Shqipëri. Portrete, portrete jete, portrete familjesh dhe jo vetëm. Ato janë fotografi që të bëjnë të ndalosh dhe të mendosh. Janë fotografi që flasin! Ne ndajmë të njëjtën botë dhe ashtu sikunder ne, ata aspirojnë dhe dëshirojnë të jetojnë, të punojnë për familjet e tyre për një jetë më të mirë.

Fotografia e Renuarit, sjell një realitet të dhimbjes, sakrificës dhe trishtimit të refugjatëve me kombësi të ndryshme, si nga Siria apo Afghanistani, të cilët përpiqen të kalojnë nëpërmjet territorit Shqiptar në drejtim të tokës së premtuar, ndonjëherë kilometra të tëra për t’u përshkruar. Historitë e tyre sillen me mjeshtëri nga artisti, i cili na e sjell kaq pranë dhe të prekshëm një realitet që e mendojmë sikur nuk na përket. Këto janë një kolanë fotografish dokumentuese të një rrugëtimi të gjatë me një fillim dhe ende pa mbarim. Kjo ekspozitë është realizuar në bashkëpunim me Caritas Albania, UNHCR Albania, Caritas Austria dhe Caritas Italia.