Fatmir Mediu ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka sulmuar familjarët e viktimave të Gërdecit pas hapjes së dosjes nga SPAK.

Kreu i Partisë Republikane thotë se është krejtësisht i pafajshëm dhe se po i bëhet padrejtësi.

“Nuk ka asnjë nxitje, asnjë shtysë apo presion nga ministri për këtë proces. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë. Nuk është prezantuar pranë ministrit asnjë shqetësim si zhvillohej demontimi. Kam dhënë dorëheqjen dy ditë pas ngjarjes duke e parë veten si përgjegjës moral dhe politik, por aspak i fajshëm si shkaktar i pasojave.

Nuk i jam shmangur hetimit. Jam vendosur në dispozicion pa asnjë rezervë. Prokuroria e kohës bëri një hetim për mua dhe familjen tim si për asnjë politikan tjetër. Ajo që kërkon SPAK janë cështje të shqyrtuara në vitin 2014 dhe 2018 dhe dy rastet prokuroritë kanë refuzuar rihapjen e kësaj çështje” deklaroi ai.

Gjykata e Posaçme vendosi që të rihapë çështjen “Gërdeci”, duke nisur rigjykim për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin në mars të 2008 ku humbën jetën 26 persona. SPAK iu drejtua në muajt e parë të vitit Gjykatës së Lartë me kërkesën për revokimin e vendimit të 2009 që pushoi çështjen ndaj Mediut me arsyetimin se nuk mund të gjykohet pasi ishte me imunitet.