Jeff Bezos, ish-CEO i Amazon dhe themeluesi i kompanisë së turizmit hapësinor ‘Blue Origin’ mendon se në të ardhmen njerëzit do të vizitojnë Tokën ashtu siç ata do të vizitonin Parkun Kombëtar ‘Yellowstone’. Bezos beson se ai dhe më të pasurit e botës së shpejti do të gjejnë një mënyrë për t’i bërë njerëzit specie ndërplanetare duke kolonizuar planete të ndryshme.

Gjatë një seance në Katedralen Kombëtare në Uashington, Bezos i tha administratorit të NASA-s, Bill Nelson se kompania e tij po fokusohet në largimin e industrisë më të dëmshme nga Toka në mënyrë që të ruhet planeti. Ai parashikon gjithashtu se, në të ardhmen mund të ketë fëmijë që hapësirën do ta quajnë shtëpinë e tyre.

Bezos është personi i dytë më i pasur në botë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg. Bezos, njësoj si rivali i tij Elon Musk, po kërkon suksesin në industrinë e turizmit hapësinor dhe beson se një fazë tjetër më e madhe dhe më e orientuar drejt hapësirës pritet të fillojë.

Miliona njerëz do të lëvizin nga Toka në hapësirë me kalimin e kohës. Dhe ky është vizioni i ‘Blue Origin’, ku miliona njerëz do të punojnë në hapësirë, tha Bezos.

Gjatë shekujve, shumica ose shumë prej njerëzve do të lindin në hapësirë. Do të jetë shtëpia e tyre e parë. Ata do të lindin dhe do të jetojnë në këto koloni. Ata mund të vizitojnë Tokën ashtu siç do të vizitonin Parkun Kombëtar ‘Yellowstone’, shtoi ai.

Kjo Tokë mund të mbajë, le të themi, 10 miliardë njerëz në një shkallë të caktuar. Ne do të duhet të punojmë shumë për të kuptuar sesi ta bëjmë këtë pa shkatërruar planetin. Sistemi diellor mund të mbajë një trilion njerëz, theksoi Bezos.