I rikthyer në pankinën bardhezi pas dy vitesh larg, Allegri nuk po i ftillon dot gjërat te Juventusi. Nëse skuadra e tij shkon të luajë një ndeshje në pritje në shtëpinë e kampionëve të Evropës dhe del me katër gola disavantazh, kjo do të thotë se në këto tre muajt e parë të sezonit nuk ke ndërtuar asgjë sa i përket lojës. Dhe në këtë pikë, diferenca me kampionët e Europës ishte e thellë dhe sa vinte e rritej çdo minutë e më shumë. Gjithashtu sepse nuk është një histori e re ajo e Juventusit, që nuk përpiqet të luajë futboll, jo vetëm në aspektin e lojës, por edhe të lëvizjeve taktike, me ndryshime që vijnë gjithmonë shumë vonë për të lënë gjurmë.
Humbja e “Stamford Bridge” rikthen makthet e një sezoni të jetuar deri më tani nga Juventusi me dy fytyra, i cili e filloi keq në Itali mbas lamtumirës së Ronaldos, por shkëlqeu në Evropë. Prishja e magjisë kontinentale pas katër fitoreve në katër ndeshje e zgjon “Zonjën e Vjetër”. Ajo ndodhet në vendin e gjashtë të Serie A, ku sapo ka përjetuar një sukses në shtëpinë e Lazios, në vendin e dytë të grupit të Champions League. Për të shpresuar ende te vendi i parë në grup, bardhezinjtë kanë nevojë për një rezultat më të mirë në ndeshjen e fundit ndaj Malmoe sesa Chelsea kundër Zenit.
21 goditjet e Chelsea, duke shtuar ato në kuadrat, jashtë portës dhe të pritura, Juve nuk i kishte pësuar për tri vite. Skuadra torineze nuk kishte pësuar 4 gola kundër një ekipi anglez prej gati 12 vitesh, që nga 4-1 ndaj Fulhamit në “Europa League” (kujtojnë shifrat e Opta). Humbja me një disavantazh prej 4 golash e Juventusit nuk kishte ndodhur prej 17 vitesh, qysh nga 4-0 me Romën, në shkurt 2004, atë kohë kur Totti ngacmonte me katër gishta…
Një disfatë me 4 gola diferencë nga kundërshtari, Juventusi nuk kishte njohur në Evropë që nga marsi i vitit 2000, në Kupën UEFA, kundër Celta Vigo. Këto janë shifra historike që portretizojnë qartë “një ndeshjeje tragjike”, sikurse Szczesny e konsideroi atë të mbrëmshmen në “Stamford Bridge”.