Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se Këshilli Turk do t’i dhurojë Afrikës 2,5 milionë doza vaksinash kundër koronavirusit.
Presidenti Erdoğan së bashku me krerët e tjerë të Këshillit Turk, mbajtën një konferencë për media në Ishullin e Demokracisë dhe Lirisë pranë Stambollit.
Erdoğan në fjalën e tij tha se në takim, liderët theksuan synimin e tyre për të vepruar së bashku kundër ndryshimeve klimatike dhe krizave siç është pandemia e koronavirusit.
“Ne kemi vërtetuar edhe një herë vendosmërinë tonë për të vazhduar luftën tonë kundër të gjitha formave të terrorizmit, ekstremizmit, racizmit dhe islamofobisë”, shtoi Erdoğan.
Ai theksoi se edhe në kohën e pandemisë, këshilli tregoi edhe një herë se ata ishin një dhe së bashku si botë turke.
“Rajoni i Turkestanit, djepi i qytetërimit, do të bëhet sërish një qendër tërheqëse dhe ndriçimi për mbarë njerëzimin”, shtoi Erdoğan.
Ai theksoi se gjatë samitit, liderët pranuan Dokumentin e Vizionit të Botës Turke 2040, i cili përshkruan perspektivën për të ardhmen e organizatës, duke shtuar se takimi duhet të konsiderohet si një shenjë e re e vëllazërisë së përjetshme në botën turke.
“Askush nuk duhet të shqetësohet nga Këshilli Turk dhe, përkundrazi, duhet të përpiqet të jetë pjesë e kësaj strukture unike të bazuar në historinë e lashtë dhe marrëdhëniet njerëzore”, nënvizoi ai.
Erdoğan më herët u takua me krerët e vendeve anëtare në Sekretariatin e Këshillit Turk në distriktin historik Sultanahmet.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, mori pjesë në ceremoni, së bashku me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, presidentin e Kirgistanit, Sadyr Japarov dhe presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev.
I pranishëm ishte edhe kryeministri Viktor Orban që përfaqësonte Hungarinë si shtet vëzhgues, ngjashëm si dhe presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdimuhamedov, i cili mori pjesë për herë të parë në takim. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Turk, Bagdad Amreyev, ishte gjithashtu i pranishëm në aktivitet.
Këshilli Turk u formua në vitin 2009 për të promovuar bashkëpunimin midis vendeve që flasin gjuhët turke.