Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot padinë e Shoqatës së Bashkive për 30 qershorin, duke legjitimuar zgjedhjet vendore.

Në një lidhje me Skype në edicionin e lajmeve me Juli Krisafin , deputeti i PS, Fatmir Xhafaj u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shërbejë si një moment reflektimi.

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themelore për një demokraci të shëndetshme Gjykata Kushtetuese legjitimoi zgjedhjet e 30 qershorit. Është konfirmim i qëndrimit të PS për këtë proces. Nga ana tjetër është një ndëshkim publik dhe moral për të gjithë ata që e bojkotuan. Bojkoti është një akt i papranueshëm për demokracinë dhe shtetin e të drejtës.

Është moment reflektimi për ata që iniciuan këtë akt të rëndë anti-kushtetues. Lulzim basha ka detyrimin moral ndaj qytetarëve të këtij vendi, anëtarëve të PD, që të dalë dhe të kërkojë një ndjesë publike. Presidenti duhet të shpallë urgjentisht datën e zgjedhjeve për 7 bashki të vendit ku nuk janë në ushtrimin e detyrës kryetarët.

Ky vendim është moment reflektimi për të gjitha palët e përfshira në këtë proces”, u shpreh Xhafaj.