Maja e Murgës, 20 km larg qytetit të Pukës, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik të fundjavës për të apasionuarit pas natyrës.
Bashkia e Pukës bën të ditur se “7000 turistë, kryesisht nga Shqipëria dhe Kosova, por dhe nga vende të tjera e vizituan Murgën këtë vit duke e kthyer këtë pikë ndër destinacionet e fundjavës në Shqipëri”.
Vizitorë vendas dhe të huaj e pëlqejnë qytetin verior të Pukës jo vetëm për shkak të klimës së pastër, gjelbërimit, por edhe për atraksionet natyrore.
Me zhvillimin edhe të guidave, bukuritë natyrore të Pukës po marrin vëmendjen e duhur.
Maja e Murgës është një ndër destinacionet turistike që ofron Puka. E ndodhur në 600 metër lartësi, Maja e Murgës ofron pamje mahnitëse. Kjo hapësirë është tepër atraktive për të apasionuarit pas natyrës, malit, alpinizmit, lartësive, aventurës, etj.
Ngjitja e kësaj maje nuk është shumë e vështirë dhe me të mbërritur në destinacion, ju do të shijoni Liqenin e Komanit në një tjetër këndvështrim. Pamja mbresëlënëse e Liqenit të Komanit nga maja e Murgës konfirmon që bukuritë shqiptare i ka pikturuar natyra.