Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, njëherësh kryeministër i Maqedonisë së Veriut, dhe dorëheqjen nga të dyja funksionet, pas humbjes në zgjedhjet lokale.

Në konferencën për shtyp në selinë e partisë, Zaevi ka uruar kundërshtarët politikë për fitoren zgjedhore dhe ka thënë se ”merr përgjegjësinë për rezultatet e këqija të zgjedhjeve”.

Ai mbetet në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pasi, siç tha, ”pasojnë edhe dy vjet e gjysmë vite të shkëlqyeshme dhe të papërsëritshme për vendin ku interes do të ketë i gjithë populli dhe vendi”.

“Do të mbetem për periudhën sa nevojitet, që të ndihmoj, të riorganizohet qeveria e re me shumicë progresive që është dhe ekziston, ndërsa mund të jetë edhe më e madhe”, tha Zaev.

Ai ka uruar të gjithë kryetarët e porsazgjedhur të komunave.

”Jam krenar që bashkë e dërguam vendin në NATO. Vitin e kaluar morëm vendimin për fillimine e negociatave me BE-në dhe besoj se kemi gjasa të fillojmë negociatat për disa muaj. E bashkuam popullin tonë multietnik dhe forcuam ekonomikisht edhe krahas pandemisë”, shtoi ai.

”Qeveria jonë arriti një miqësi historike me të gjithë pesë fqinjët tanë me partneritete strategjike të dakorduara. Për ne, progresistët, që besojmë dhe i gëzohemi këtyre sukseseve historike, fatkeqësisht erdhi një dënim politik”, tha Zaev.