Banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së rë në zonën e 5 Majit do të dëmshpërblehen 100 % për pronën e tyre. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku thotë se në fazën e parë janë prekur 135 prona private të legalizuara dhe të palegalizuara, por që do të përfitojnë banesa të reja. “84 kanë qenë pasuri e pronarëve si biznese, truall dhe shtëpi, 51 kanë qenë ndërtesa në proces legalizimi por që për arsye të ndryshme nuk janë legalizuar. Të gjithë personat që kane pasur një pronë në emrin e tyre do të marrin metrat e ndërtimit që kanë pasur dhe plus për tokën. Ata që kane qenë në proces legalizimi do përfitojnë të gjithë metrat e objektit. Një pjesë ka firmosur kontratat”, tha Mazniku për Klan.
Nënkryetari Mazniku thotë se gjatë periudhës së ndërtimit të lagjes së re, banorët do të trajtohen me bonus qiraje nga Bashkia. “Pjesa më e madhe e banorëve nuk kemi pasur probleme. Qeveria ka marrë përsipër që t’ju paguajë qiranë për periudhën e ndërmjetme nga tani deri sa të mbarojë ndërtesa e re”, thekson ai. I pyetur për protestën e një pjesë të banorëve, Mazniku thotë se këta protestues nuk kanë asnjë lidhje ligjore apo të dokumentuar me pronën apo ndërtesës, dhe se po përdoren për qëllime politike. “Kemi një grup të vogël njerëzish në protestë, pjesa dërmuese e tyre nuk ka lidhje me pronën. Ky është grupi i vogël i cili edhe në shtysën politike ka krijuar zhurmë”, nënvizon Mazniku. Por çfarë do të bëhet me këta banorë? “Secilit prej tyre i është ofruar mundësia nga Bashkia e Tiranës, për t’ju ofruar futjen në programet mbështetëse me qira apo banesa sociale si të pastrehë. Njësia 8 dhe 4 që kap zonën është e gatshme t’i ndihmojë. Asnjë banor i asaj zonë nuk do të dalë në rrugë”, siguron Mazniku.
Një numër i konsiderueshëm i banorëve që preken nga projekti i lagjes së re te “5 Maji”, janë dakordësuar dhe kanë plotësuar dokumentacionin për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës po vijon edhe me nënshkrimin e kontratave me banorët e zonës, sipas asaj çfarë parashikon VKM-ja. Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë. Përfitues nga ky projekt do të jenë edhe familjet të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje. Për të lehtësuar këtë periudhë, Bashkia ka marrë përsipër dhe dhënien e bonusit të qirasë për banorët që preken, derisa ata të marrin në dorë çelësat e banesave të reja. Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për 11 mijë banorë, me apartamente, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe dhe godina institucionesh.