Edhe pse nga institucionet zyrtare të Partisë Demokratike gjithçka quhet një ‘blof’ nga Sali Berisha, mbështetësit e ish-Kryeministrit, Flamur Noka, Genti Strazimiri dhe Arben Ristani, kanë deklaruar sot se kanë dorëzuar edhe 150 firma të tjera delegatësh, duke shkuar në 4350. Sipas tyre firmat e mbledhura nga Foltorja e Sali Berishës do të verifikohen në datë 11 dhjetor përmes një komisioni të ngritur nga vetë Kuvendi. Ish-deputeti Gent Strazimiri tha se firmat janë dërguar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe kushdo që ka kuriozitet t’i shohë ato mund ta bëjë, por verifikimin sipas tij mund ta bëjë vetëm Kuvendi. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i PD-së zyrtare. Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, është shprehur se asnjë firmë nuk është depozituar në parti, shoqëruar me kërkesën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
Ndërsa deputeti Flamur Noka bëri një deklaratë të fortë ku tha se Basha është ministër i Ramës që paguhet për të shuar opozitën. “ Peng kryetarit i kanë mësuar një gjë që mënyra më e mirë për t’u mbrojtur është të sulmosh, nuk ka qytetar që nuk e di se kush është pengu dhe i ka shërbyer Ramës prej 8 vitesh, kush i dogji të gjitha kauzat e opozitës dhe për çfarë arsyesh. Të gjitha këto tregojnë se qeveria nuk ka 19 ministra por 20 minuta, atë të shuarjes së opozitës që quhet Luzlim Basha dhe se paguhet nga qeveria e Ramës, Në këtë panik ai sulmon për t’u mbrojtur, demokratët shprehën vullnetin e tyre për mbledhjen e Kuvendit. Sot janë mbledhur edhe 150 të tjera dhe do të vijojnë ende dhe shifrat do e kalojnë 5 mijë firma, është vullnet absolut i demokratëve. Paniku që ka zënë peng kryeartin duket tek histeria se si flasin dhe sulmojnë, asgjë nuk e ndal vullnetin e demokratëve.”, tha Noka
Nga na tjetër Gent Strazimiri iu përgjigj Bashës si cili e quajti puç mbledhjen e firmave, duke thënë se puç janë shkeljet e rregullave të partisë nga ana e tij “Puç është gjithçka që nuk respekton rregullat e parisë. E keni pike për pike sipas statusit të PD, nuk është puc”, tha Strazimiri.
Ndërsa ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani nënvizoi se institucionet e partisë nuk janë legjitim se nuk janë zgjedhur me votë të fshehtë. “I vetmi institucion legjitim është Këshilli Kombëtar dhe ne për transparencë po i çojmë atje. Shumica vendos, pakica duhet t’i ndjekë pas. Kuvendi vetëmblidhet dhe në këto kushte çdo Kuvend, duke nisur nga ai i Shqipërisë te ai i partive politike, Kuvendet vetëkontrollohen, nuk i kontrollon askush, Kuvendi do të ngrejë strukturën e vet të kontrollit dhe aty pakica e ka për detyrë të jetë. Në respekt të institucioneve të partisë dhe transparencës është dorëzuar në organin më të lartë të partisë. Procedura që ndiqet është kjo. Në rast se do kishte mbledhje normale të Kuvendit, organet e zgjedhura mund të kishin punuar, por kanë qenë të painteresuar për të bërë ndryshime. PD zyrtare është shumica e anëtarëve të PD, nuk ka PD zyrtare tjetë”, tha ai.