Conor McGregor, ish-kampioni i dyfishtë i botës në artet marciale mikse, ka bërë me dije se në prill të vitit të ardhshëm do të nisë të stërvitet me rivalë të tjerë. Deri në atë periudhë, ai nuk do të zhvillojë asnjë duel zyrtar. Vetëm pasi të nisë stërvitjen e plotë ai mund të rikthehet në kafaz, gjë që mund të ndodhë në verën e vitit të ardhshëm.
Irlandezi u dëmtua rëndë në këmbë pas humbjes ndaj Dustin Poirier në verën e këtij viti, çka solli edhe operacionin e paevitueshëm. “Rikuperimi i këmbës po shkon mjaft mirë. Më duhet vetëm të jem i durueshëm në mënyrë që kocka të jetë e fortë. Gara me mendjen time është të jem i durueshëm. Në prill do të nis të stërvitem me ritëm të plotë dhe më pas menjëherë në kafaz për titullin”, tha McGregor.