Ylli argjentinas Lionel Messi mendon që do të ishte çmenduri nëse ai do të fitonte Topin e Artë numër shtatë në karrierë, dhe nuk pret që të jetë triumfues i këtij çmimi në fund të këtij muaji.
Messi është favoriti i dytë për ta fituar Topin e Artë për vitin 2021, ku argjentinasi renditet pas sulmuesit polak të Bayern Munich Robert Lewandowski, përcjell KosovaPress.
Sulmuesi argjentinas dhe i PSG-së e ka fituar gjashtë herë këtë çmim, dhe pavarësisht se ka pasur rënie të formës në ligë në vitin e kaluar me Barcelonën, ai udhëhoqi shtetin e tij drejt titullit të parë të Kupës së Amerikës pas plot 28 viteve.
Në një intervistë për “Sport”, Messi tregoi mendimin e tij rreth mundësisë së fitimit të këtij titulli personal.
“Nëse do të jem i sinqertë, nuk mendoj që do ta fitojë. Çmimi im më i madh ishe ajo se çfarë arrita të bëjë me kombëtaren time. Pasi që kam luftuar shumë për këtë çmim, ishte më i miri pavarësisht humbjeve të ndryshme. Nëse Topi i Artë arrin te unë, do të ishte e jashtëzakonshme që ta fitoja edhe një më shumë. I shtati do të ishte çmenduri”, tha Messi për “Sport”.
Po ashtu, Messi tregoi se në këtë ceremoni të çmimit të Topit të Artë do të votonte për dy bashkëlojtarë të Paris Saint-Germain, dhe për sulmuesit si Karim Benzema e Robert Lewandowski.
“Në skuadrën time, gjenden dy lojtarë për të cilët menjëherë do të votoja, Neymar dhe Kylian Mbappe. Pastaj do të votoja për Robert Lewandowskin, i cili ka pasur një vit fantastik, dhe Karim Benzeman i cili ka qenë i jashtëzakonshëm”, tha Messi.
Më 29 nëntor do të bëhet i ditur fituesi i Topit të Artë në kryeqytetin e Francës, ku i fundit që e kishte pranuar këtë çmim ishte ylli argjentinas Lionel Messi në vitin 2019, kurse në vitin 2020 ky çmim nuk u nda për shkak të pandemisë Covid-19.