Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, në pr/buxhetin e vitit 2022 është parashikuar rritja prej 30% e pagës për të gjithë personelin e FA.

Në seancën dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare lidhur me projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022” për Ministrinë e Mbrojtjes, Peleshi tha se, “buxheti i MM mbase ka një lloj veçantie sepse ne kemi disa angazhime në NATO. Jemi vend i NATO-s, jemi struktura e integruar euro-atlantike, përpara strukturave të tjera fatmirësisht. Dhe kështu sipas angazhimeve që kemi në këto struktura buxheti i MM i raportuar në NATO deri më 2024 duhet të pësojë një rritje graduale, sipas një grafiku të deklaruar, për të arritur në vitin 2024 në 2% të PBB. Sot jemi 1.47-1.48 % të GPD. Me buxhetin e vitit 2022 kemi parashikuar të shkojmë në 1.75%. pra ky buxhet është 1.75 e PBB. Në 2023 do të shkojmë në 1.85% të PBB dhe në 2024-ën në 2%, duke përmbushur kështu edhe detyrimet në NATO”.

“Detyrimi në NATO, në raport me buxhetin, nuk ka vetëm një shifër, pra nuk ka vetëm 2%, ka dhe një shifër tjetër 20%. Që do të thotë 20% e këtij buxheti duhet të përdoret për investime. Sa i përket kësaj shifrës së dytë ne tashmë e kemi arritur. Pra që në vitin 2021, përqindja e buxhetit e alokuar për investime është 20.46%. Në 2022 shkon 31.38%, pastaj 29%, dhe pastaj përsëri 31.26%. pra është 50% më tepër sesa është kërkesa dhe detyrimi i raportuar në NATO”, theksoi Peleshi.

Peleshi shtoi se, “buxheti i MM në vlerë absolute në vitin 2022 parashikohet të jetë 32.6 miliardë lekë, duke pësuar një rritje prej 7.9 miliardë lekë, ose 32% më shumë krahasuar me vitin 2021. Ai konsiston në rritjen e shpenzimeve korente në vlerën 2.7 miliardë lekë ose 14% më shumë se viti aktual. Dhe rritjen e shpenzimeve kapitale në vlerën 52.miliardë lekë, ose 102% më shumë se viti 2021”.

“Buxheti 2022 është sa 1.75% e PBB. Plotëson nevojat e Forcave të Armatosura në kuadër të direktivave për mbrojtjen, angazhimet ndërkombëtare dhe të sigurisë kombëtare”, u shpreh Peleshi.

“Rishikimi i planit afatgjatë të zhvillimit të FA si dhe dokumentet strategjikë mbi të cilët bazohet veprimtaria e FA do të orientojnë transformimin e FA, për garantimin e sigurisë dhe përballimin e të gjithë skenarëve të kërcënimeve. Në këtë drejtim janë prioritarizuar kapacitete me fokus kapacitete të përdorshme, fleksibël dhe të ndërveprueshme duke përcaktuar nivelet në të cilat duhet të zhvillohet çdo kapacitet të shoqëruar edhe me nevojat për burime”, tha Peleshi.

Peleshi u shpreh se janë 9 drejtime kryesore ku është fokusuar detajimi i buxhetit 2022.

“Së pari, mbështetja për personelin. E dyta, modernizimi dhe infrastruktura. Së treti, arsimimi dhe kualifikimi, më pas gatishmëria dhe mirëmbajtja. Stërvitjet. Strukturat dhe angazhimet ndërkombëtare. Mbështetja me mallra dhe shërbime dhe mbështetja administrative. Mbrojtja civile dhe operacionet brenda dhe jashtë vendit”, tha Peleshi.

“Ne kemi parashikuar rritjen prej 30% të pagës, pagesës për të gjithë personelin e FA. Është një rritje e qenësishme, historike nëse mund ta themi kështu. Sepse nuk mbahet mend që kur ka pasur një rritje kaq të madhe të pagës. Besoj që me këtë rritje, paga duke filluar nga ushtari i parë deri tek gjenerali bëhet dinjitoze, madje e krahasueshme me vende të tjera me të cilat matemi sa i përket stadit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, vendeve në rajon në Ballkanin Perëndimor”, tha Peleshi.

Peleshi u shpreh se “projekti më i rëndësishëm në kuadrin e infrastrukturës tonë është ndërtimi i bazës taktike të Kuçovës që do të jetë një bazë taktike e NATO-s. Investimi kryesor realizohet nga fondet e NATO-s, tashmë të prokuruara nga Agjencia e Prokurimit të NATO-s (NSPA) në masën 40 milionë euro. Së shpejti fillojnë punimet. Janë përzgjedhur nga NATO kontraktorët. Është detyrimi jonë të bëjmë një pjesë të punimeve, diçka më shumë se 10% përballohet nga buxheti ynë. Kemi gati projektin. Është parashikuar buxheti dhe jemi në prag të fillimit të punës për ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe disa punime të tjera si shpronësime dhe punime të tjera që janë detyrim i Shqipërisë në këtë projekt”.

“Edukimi ushtarak është tani një prioritet për ne. Keni dëgjuar për Akademinë e FA dhe për përpjekjet për të ndërtuar partneritete të rëndësishme me Akademi të mirënjohura siç është Akademia Ushtarake e West Point-it në SHBA. Kemi zhvilluar një vizitë shumë të suksesshme me kryeministrin e vendit Rama dhe synojmë që të rimodelojmë Akademinë tonë sipas modelit të West Point-it”, tha Peleshi.