Eurobondi i miratuar vetëm me votat e socialistëve, por jo votat kundër të demokratëve që abstenuan, solli një debat në distancë mes PD-së dhe LSI-së.
Shkak për këtë u bë një SMS e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj i cili fillimisht orientonte deputetët që të votonin pro dhe pastaj abstenim. “Beteja ndaj Eurobondit shkatërrimtar 2.3 miliard euro, vijë ndarëse mes opozitës së vërtetë dhe fake opozitës!!”, komentonte Vasili.
“Opozita fake” u përdor rëndom edhe nga deputetja tjetër e LSI-së, Erisa Xhixho e cila nuk iu bashkua deputetëve të PD-së për të lënë punimet mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit me atë të Ligjeve kur diskutohej për zgjatjen e afateve të vettingut, nismë që PD-ja kërkonta ta bashkonte me draftin e vete për ndryshimet kushtetuese.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, e zhvilloi më tej tezën e LSI-së se kur në fakt një opozitë duhet të jetë reale
“Opozita ka fuqi të madhe kur është konseguente, ballore, kur merr vendime dhe kur nuk i shmanget përballjes me çështjet, pa u kompleksuar nga presionet qoftë edhe nga faktorë të jashtëm”, tha Vasili në studion “Debati” në A2 CNN.
Vasili ka pakënaqësi edhe për nismën tjetër të propozuar nga PD-ja nga e cila po ngulmohet shumë, vettingu i politikanëve.
“Ky është një propozim i njëanshëm i PD. Ajo që kam thënë është se cili është ai rekord i SPAK që na mbush me shpresë dhe na jep besim për t’i dhënë një detyrë të re? Teatri, inceneratorët, porti i Durrësit, afera e Bechettit. Dhe kjo i mungon misionit të SPAK”.
Vasili theksoi gjithashtu se LSI nuk ka asnjë koordinim politik me PD-në.
“Qëndrimet në parlament improvizohen aty për aty. S’ka rakordim për to. Por e vërteta është që nuk ka pasur koordinim politik me PD. LSI nuk ka reshtur në asnjë qëndrim publik, ne vuajmë për të çarë hapësirat në media. LSI nuk i ka reshtur qëndrimet”.
I pyetur nëse PD po bashkëpunon me Ramën, Vasili u përgjigj se opozita duhet të jetë në lartësinë e detyrës./Tema