Muajt e mërisë në heshtje kanë marrë fund mes dy forcave kryesore të opozitës, që tashmë po akuzojnë hapur njëra-tjetrën për rezultatin humbës në zgjedhjet e fundit dhe strategjitë e gabuara që çuan në të.
Gjithçka nisi me Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi që tregoi se LSI refuzoi 15 mandate të sigurta në listë të përbashkët me demokratët.
“Partia Demokratike i ka ofruar LSI 15 mandate, ata thanë që do marrin 34. U thashë që në Elbasan nuk merrni mandat, më thanë që ne marrim 3, ju 2” deklaroi Bardhi gjatë një interviste.
Deklaratat e Gazment Bardhit nuk u pritën mirë nga kryetarja e LSI, e cila jo vetëm mohoi ofertën, por akuzoi Bashën se e ka mashtruar me garancitë që i kishte dhënë për djegien e mandateve.
“Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara. Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”, do të reagonte Kryemadhi.
Ndërsa Elona Guri, kandidate e LSI në zgjedhjet e fundit, e njohur si një nga njerëzit me të afërt të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, fokusoi replikën e saj në qarkun e Elbasanit, ku numri dy i PD ishte drejtues politik.
“Monika Kryemadhi të ka ballafaquar me Lulzim Bashën edhe këshilltarin izraelit dhe Petrit Vasilin në zyrën e Bashës se si ti kishe bërë marrëveshjen 8 mandate t’i mbante PS në Elbasan dhe ti doje mandatet e LSI dhe ti i kishe dalë garant bandave se do ishe ministër i Brendshëm. Ju edhe i regjistroni bisedat. E ke aty regjistrimin dhe se si ti nuk pranove të bëje konferencë shtypi kundër Suel Çeles”, shkruhej në reagimin e Gurit.
Bardhi zgjodhi të injoronte deklaratën e Gurit.
“Nuk e njoh kush është. Kam dhënë me dhjetëra konferenca. Ata që u fshehën dhe që nuk erdhën në qarkun e Elbasanit janë arsyeja se përse LSI nuk mori mandat. E dini që LSI nuk ka zhvilluar fushatë në Elbasan”, u shpreh sekretari demokrat.
Akuzat për besëprerje u përsëritën dhe nga nënkryetari i LSI, Petrit Vasili. Mes të tjerash Vasili akuzoi kryedemokratin për një bashkëpunim të fshehtë me Edi Ramën, madje e konsideroi atë si një peng të kryeministrit, cilësim i përdorur ndaj Bashës edhe nga Sali Berisha.(A2)