Nga Artur Ajazi/

Festat e 28 dhe 29 Nëntorit, ka mbi 30 vjet,që janë bërë shkak i talljes së qëllimshme që yshten nga persona që kanë patur dhe kanë akoma agoni pushteti. Gjëja e parë që Partia Demokratike bëri sapo erdhi në pushtet, ishte (një paradoks i paparë) ndryshimi i datës së çlirimit të vendit. Askush prej tyre, as kishte qenë dhe as kishte shfletuar materiale arkivore, se kur ishte çliruar vendi nga “gjermani i fundit”. Asnjë prej tyre nuk dinte fakte, dhe nuk kishte lexuar dokumentacion të kohës, që fliste mbi ato ngjarje të mëdha, që do të ishin simbolika e atdheut. Të errur nga urrejtja dhe mungesa e gjykimit, Sali Berisha dhe shpura që e ndiqte si e çmendur, vendosën që pa kaluar muajin në pushtet, të ndryshonin datën e çlirimit, por dhe data të tjera.

Dikush ka 30 vjet që tallet me demokracinë, tallet me fatet e vendit, luan kumar me ndjenjat kombëtare, me gjakun e dëshmorëve, dhe përdhos simbolikat. Sali Berisha ka 3 dekada që mohon luftën (madje dhe pushtimin), mohon të rënët, mohon sakrificat e atyre qindra dhe mijëra djemve dhe vajzave që u bashkuan nën flamurin dhe idealin e çlirimit të vendit, dhe fituan.Klasa politike e ndarë në dy pjesë, në ata që përkrahin ndryshimin e datave të festave tona kombëtare, dhe në ata që nuk e pranojnë ndryshimin e tyre, mbetet shkaktare e një situate absurde. Sali Berisha, arriti që me shumicë votash, qysh në 1992, të ndryshojë paradoksalisht dhe për asnjë arsye thelbësore, datën e çlirimit të vendit. Ai ka futur “duart” në ndjenjat tona kombëtare, ka nxitur qysh në fillim ndasitë mes fituesve dhe humbësve, ka mohuar luftën çlirimtare dhe ka përkrahur idenë e “luftës civile”.

Madje ka arritur deri atje, sa që me bixhukët e tij, të mohojë të vrarët, të ndryshojë dhe sajojë “heronj” kotecesh, duke i veshur ata me himne dhe lavdi fallco.Kjo situatë ka mbajtur të papajtuar prej 30 vitesh partizanin dhe ballistin, veteranin dhe bashkëpunëtorin e zaptuesit, dhe ka futur përçarjen mes shqiptarëve.Dikush vazhdon të tallet me ndjenjat dhe zemrat e shqiptarëve, madje më keq akoma,me imazhin dhe vendin që historia i ka rezervuar me të drejtë Shqipërisë si “anëtare e denjë e Boshtit Antifashist gjatë Luftës Dytë Botërore”. Ajo nuk ishte meritë e askujt, veçse e popullit shqiptar dhe atyre që drejtuan luftën e tij çlirimtare nga dita e pushtimit, deri në 29 Nëntor 1944. Vlerat dhe kontributet e asaj lufte gjakatare dhe çlirimtare, nuk mund ti zhbëjë, një parti e mbushur me ish-komunistë të konvertuar, që mbi çdo interes kombëtar, kanë vënë interesin e xhepit të tyre. Gjuha e “nepërkës” që nuk pushon për 30 vjet, nuk ka arritur të zhbëjë historinë e lavdishme të asaj epopeje që u shkrua me gjakun e djemve dhe vajzave më të mira të këtij vendi.

Përkulja dhe kurorat e vendosura tek monumenti “Nënë Shqipëri”, nuk mund të fshijnë hipokrizinë dhe dashakeqësinë, e atyre që vazhdojnë të tallen dhe të mohojnë luftën, dhe nderojnë kriminelët e saj si “heronj të demokracisë”. Si në asnjë vend tjetër të Europës, dordolecët e “ndryshimeve demokratike” dhe “përmbysësit e sistemit komunist”, janë sot promotorë të një fushate denigruese të vlerave të luftës çlirimtare, madje mohojnë edhe vendin e nderuar që Shqipëria zë në boshtin e Luftës së Dytë Botërore. Misioni i tyre dihet, dhe ka qenë i paracaktuar dhe paravendosur në bodrumet e ambasadës “mike”, pak ditë para zgjedhjeve të 22 Marsit 1992. Dhe e vërteta është, se veç diskreditimit publik dhe një thesi me para që e ruajnë për “ditën e kjametit”, ata mercenarë kolltuqesh, kanë sot përçmimin e shumicës së shqiptarëve, që janë të vendosur përjetësisht të nderojnë heronjtë dhe festat kombëtare.