Nga Mero Baze
Partia Demokratike për herë të parë në tridhjetë vite po tronditet nga përballja me berishizmin. Edhe pse e ka pasur berishizmin instrument kryesor në luftën politike që nga krijimi, ajo nuk e kishte provuar ndonjëherë “tytën e kthyer nga vetja”.
Për herë të parë në Partinë Demokratike shikoj njerëz që reagojnë me neveri ndaj atyre që thotë Berisha, ndaj metodave të tij për të marrë kreun e PD, por mbi të gjitha, ndaj gjuhës së tij.
Berishizmi ka qenë një kostum që e ka veshur çdokush që ka dashur të bëjë karrierë në pushtetin e Berishës. E kanë veshur ministrat, deputetët, zyrtarët lokalë të partisë dhe padiskutim militantët. Duke qenë se berishizmi është një mënyrë e të menduarit politik, ajo bazohet në tri dogma të pandryshueshme.
Dogma e parë është kulti i individit për Berishën. Çdo vlerësim për dikë që mund të ketë qenë me kontribute të mëdha në PD, ose pa kontribute fare, lidhet nga qëndrimi që ka ndaj Berishës. Pra ti mund të kesh harxhuar një jetë në PD dhe të bëhesh armik i saj se kritikon Berishën, apo të vish nga rruga e të ngjitesh në majë, se glorifikon Berishën. Është pak a shumë si Enver Hoxha tek idhtarët e tij dhe shokët e luftës, që edhe pse ishin të gjithë komandantë dhe me merita, quheshin armiq se nuk ishin dakord me Enverin.
Dogma e dytë është gjuha e Berishës. Çdokush që duhet të bëjë karrierë në PD, duhet të adoptojë gjuhën politike të Berishës, e cila ka disa steriotipe që duhet t’i respektosh.
E para, nuk ka rëndësi e vërteta, por nevoja për të cilën e thua një gjë.
E dyta, kompleksimi i “armikut” në aspektin seksual, mundësisht devijimet seksuale, në raportet familjare, mundësisht tradhëtitë në çift dhe në të shkuarën në raport me komunizmin.
Çdo grua kundërshtare e Sali Berishës është ose një kurvë, ose lesbike, është ose një grua që tradhton burrin, ose është gruaja e një burri që e tradhton atë. Njësoj dhe për burrat, por ata doemos kanë qenë dhe agjentë të Sigurimit të Shtetit. Për më të rinjtë që nuk e kapin atë moshë, janë pjesë e mafias, të lidhur me vrasës të rrezikshëm, shitës fëmijësh etj.
Kjo bën që çdo grua në karrierë në PD të ngjajë si një mashkull i keq, çdo burrë si një qënie që tremb grate dhe çdo i ri, si një plak i rrjedhur.
Dogma e tretë është injorimi i garës dhe mospranimi i saj. Berishizmi nuk e pranon garën as si akt ligjor, as si institucion real në jetën politike. Berishizmi pranon vetëm garat që fiton. Garat që humbet i quan vjedhje, mashtrim, falsifikim dhe nuk i pranon kurrë. Për berishizmin, aktet ligjore, statutet, rregullat apo çdo gjë tjetër që rregullon një garë apo një palë zgjedhje, nuk kanë asnjë rëndësi nëse nuk është rezultati në anën e tyre.
Sali Berisha është njeriu që nuk ka pranuar asnjë humbje në 30 vjet, edhe pse në fakt vetëm ka humbur gjithë jetën.
Kundërshtarët e tij nuk e kanë patur të lehtë të përballen me berishizmin, por në fund të fundit u mësuan me të dhe e mundin atë vazhdimisht, pasi janë më qytetarë, të çliruar nga frustrimet seksuale që reflektohen në gjuhën agresive në politikë dhe më të vërtetë me garën.
Partia Demokratike nuk është mësuar ta ketë berishizmin përballë, ashtu siç e tha me të drejtë Lulzim Basha para ca kohe. Por tani që e ka përballë, duhet ta përdorë si një shans pozitiv, për të kuptuar se si nuk bëhet politikë.
Duhet ta përdorë këtë përballje, për të kuptuar se vlera e një njeriu që kontribuon në politikë, nuk ka lidhje me besën ndaj Sali Berishës apo kthimin e krahëve ndaj tij, por me personalitetin e çdo njeriu.
Të hysh në politikë me idealin që të jesh besnik i Sali Berishës dhe mos ta tradhtosh atë, është sikur të hysh në shtëpi publike me betimin që do dalësh i virgjër. Aq më shumë kur je një i ri apo e re, që ke lindur ndërkohë që ai ishte sekretar partie i komunizmit, apo president i antikomunizmit.
Duhet përdorur përballje me berishizmin, për të kuptuar se gjuha e urrejtjes dhe shpifja pa asnjë kriter ndaj kundërshtarit, është një pështymë që të bie në surrat. Kultura e të bërit politikë duke diabolizuar kundërshtarët, duke u thënë hajdutë, kriminelë, drogaxhinj, dhe duke menduar se po shpëton Shqipërinë nga krimi, droga dhe korrupsioni, në fakt është një krim më vete.
Mjafton të kesh përballë Sali Berishën dhe e kupton pastaj që atë që ke shpikur për Taulant Ballën për “Toyota Yaris”, të kthehet në granatë dore në duart e Sali Berishës dhe e kupton çdo të thotë berishizëm.
Duhet përdorur përballja me berishizmin për të ngjallur garën dhe për ta pranuar atë, dhe jo për të shpikur gara që nuk bëhen. Kjo që po ndodh në Partinë Demokratike është në tërësinë e saj vrasje e garës.
Partia Demokratike është realisht e ndarë në dy parti, në partinë e Lulzim Bashës dhe partinë e Sali Berishës. Ky është realitet i pakundërshtueshëm. Këta nuk kanë më garë me njëri- tjetrin.
Nëse demokratët nuk e kuptojnë se sa më shpejt të ndahen dhe të hyjnë në garë, as më të fortë do bëhen, do asfiksojnë njëri- tjetrin dhe do vrasin garën e tyre me kundërshtarët. Berishizmi që nuk e ka pranuar gjithë jetën garën, do vdes pikërisht nga gara fals që po shpik brenda në PD. Ndaj tani që PD po përballet me të, duhet ta refuzojë këtë histori.
S’mund të ketë garë në një Kuvend të thirrur jashtë rregullave. Berishizmi nuk ka pranuar asnjë palë zgjedhje dhe asnjë garë për 30 vjet. Nuk mund të pranojë një garë në PD dhe as garë me PD. Ai kërkon të mbijetojë si lëvizje partizane duke u sjellë rrotull kangjellave të PD, derisa ta mbysë atë. Ndaj duhet refuzuar.