Shkaktoi jo pak rekasion në opinionin futbollistik shqiptar lista e tij me 24 kuqezinj për ndeshjet e këtij muaji kundër Anglisë dhe Andorrës. Mungesa e Rey Manajt dhe Ivan Balliut nuk kishin shpjegim deri sot, në konferencën për shtyp, ku Edy Reja ka zbuluar gjithçka.
Të dy janë të pamundur për probleme fizike dhe lëndimi, sipas trajnerit tonë të kombëtares, ndaj nuk mund të luajnë as ndaj “Tre Luanëve” më 12 nëntor në “Wembley”, as më 15 nëntor në “Air Albania”, kundër Andorrës. Kujtojmë se këto janë dy kualifikueset përmbyllëse të fushatës eliminatore për “Katar 2022”.
“Balliu dhe Manaj jashtë listës? Kam folur me Manaj javën e shkuar, ai ka një dëmtim dhe është pa qejf. Kjo gjendje fizike jo e mirë na detyroi që ta linim pushim dhe të rikuperohet. Ai nuk ka pasur shumë minuta aktivizim me klubin, çka tregon se nuk ka qenë në formë, ndaj vendosëm bashkarisht të mos ishte pjesë e dy ndeshjeve kualifikuese të radhës.
Balliu ka një problem me muskujt e barkut. Kam folur disa herë me të. Ai do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore paçka se ka luajtur në La Liga. Edhe me Balliun vendosëm bashkarisht të mos vinte. Në fakt, kisha shumë dëshirë ta aktivizoja këto ndeshje, doja që të luante edhe ndaj Polonisë. Në ndeshjet e vitit të ardhshëm mbetet për ta parë, doja ta kisha në dispozicion. Po kështu, kemi edhe mungesat e Abrashit e Gjimshitit për shkaqe fizike dhe lëndimi.
Objektivi ynë është të shkojmë e të luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj Anglisë, fillimisht. Do të shkojmë në ‘Wembley’ për të dhënë dhe marrë maksimumin. Le të luajmë dy ndeshje të mira. Humbja me Poloninë në shtëpi i komprometoi shanset tona për ‘play-off’ në këto eliminatore. Sidoqoftë, derisa na lejon matematika, do të shpresojmë deri në fund.