Reshjet e borës kanë zbardhur zonën në aksin Përrenjas-Qafë Thanë. Sipas raporteve reshjet e dendura kanë rënë gjatë gjithë natës.
Sakaq, nga reshjet e dëborës nuk janë raportuar incidente përgjatë këtij segmenti.
Drejtori i Autoritetet Rrugor Shqiptar, Evis Berberi përmes një lidhje telefonike në Dita Jonë në A2 CNN bëri një rezyme të situatës së krijuar nga moti i keq në akset kryesore të vendit.
Berberi tregon se situata e qarkullimit në të gjitha akset rrugore është normale dhe se borëpastrueset dhe ekipet e tjera kanë qenë në gatishmëri në zonat ku ka pasur reshje bore.
Kreu i ARRSH kërkoi nga drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm dhe të përdorin zinxhirë për të shmangur problematikat.
“Ditën e djeshme ka pasur reshjet ne i kemi marrë masat për tí paraprirë kësaj situatë. Kryesisht ka pasur probleme me rënien e gurëve në Kukës-Ura e Zapodit, Tropojë-Valbonë dhe te Kthesat e Murrashit në Librazhd. Janë marrë masat nga kontraktorët për mirëmbajtjen e tyre. Në Korçë-Ersekë, Bajram Curri-Valbonë, Qafë Thanë dhe Llogora ka pasur reshje deri në mesatare bore, por që situata është normale dhe qarkullimi i mjeteve vijon pa probleme. Thirrje përdoruesve që në zonat malore me borë të përdorin zinxhirët dhe gomat dimërore pasi mungesa e tyre sjellin problematika. ARRSH është në terren, borëpastrueset po ashtu. Rruga e Arbrit është e frekuentueshme për publikun dhe nga dje ky aks shkurton ndjeshëm distancën nga Tirana në Dibër, megjithatë duhet të tregohet kujdes në by-pass e Murrizit”, u shpreh Berberi.