Arben Ristani tha sot se Lulzim Basha ka gënjyer sa i përket mbledhjes me krerët e degëve të PD-së. Ai tha se shumica e pjesëmarrësve përbëjnë edhe shumicën e firmëtarëve për Sali Berishën.
“Pika e fortë e Bashës është që nuk zverdhet kur gënjen. Pika e dobët është që këtë ia kanë marrë vesh të gjithë. Në mbledhje nga 71 krerë degësh nuk kanë marrë pjesë të gjithë. Kanë qenë të pranishëm rrëth 50 prej tyre. Dhe shumica e tyre kanë firmosur formularët për mbledhjen e Kuvendit në 11 Dhjetor”.
Ish-deputeti tha se PD ka një krizë lidershpipi dhe e mira do të ishte të kishte një kohezion sa i përket Kuvendit.
“Një burrë shteti nuk merret me cic-mice, por vjen tek Kuvendi i caktuar së pari. Kjo që po ndodh është edhe risi, se s’i ka ndodhur këtij vendi që një partie t’i mblidhet Kuvendi përmes firmave. PD ka humbur katër palë zgjedhje nën drejtimin e Bashës dhe diskutimi i madh sot që bëhet në PD është nëse duhet një kufizim të mandatit të kryetarit. Përderisa Basha kërkon kufizimin e mandatit të kryeministrit që është edhe fitues, si mund të mos ketë kufizim të mandatit të kreut humbës të opozitës?” – tha Ristani.