Golat janë rralluar, krahasuar me vite më parë kur ishin të rinj, por shifrat e tyre janë të frikshme, më të frikshmet në histori të futbollit ndoshta. Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë thyer aq shumë rekorde saqë është e vështirë për çdo kë që madje të guxojë të imagjinojë se do të arrijë atje ku kanë arritur që të dy.
Gara që ende po bëjnë me njëri tjetrin është ajo e golashënuesit më të mirë në histori të Ligës së Kampionëve, se kush do të jetë i pari dhe kush i dyti kur t’i varin atletet. Messi u penalizua këtë javë nga lëndimi dhe nuk luajti, derisa Ronaldo e shfrytëzoi këtë duke shënuar dy herë kundër Atalantës.
CR7 kështu ka shkuar në 139 gola në Champions League, duke lënë pas Messin me 123. Edhe më e bukur është bërë kjo garë me paraqitjet mbresëlënëse te Robert Lewandowskit dhe Karim Benzemas. Ata kanë lënë pas legjendën Raul, dhe janë në vendin tre dhe katër. Lewa tashmë numëron 81 gola, dhe këtë edicion është golashënuesi më i mirë me tetë finalizime, derisa Benzema numëron 75 gola.