Odise Roshi, nga konferenca për shtyp bëri prognozën e dy kualifikueseve të fundit për “Katar 2022”. Natyrisht, vëmendja e tij u përqendrua tek transferta ndaj Anglisë, si kundërshtar elitar:

“Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Se si do të luajmë në fushë po e praktikojmë në stërvitje. Ende nuk e kemi vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Do të shkojmë në “Wembley” dhe të japim maksimumin.

Mesfushën e kemi shumë të mirë. Jemi mirë dhe jemi rritur shumë si ekip. Trajneri nuk e ka vendosur ende se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushë. Është kënaqësi shumë e madhe të luash kundër një kualiteti shumë të madh, siç është Anglia, por shpresoj që të luaj në formacion.

Çdo lojtar që vjen në Kombëtare do të japë maksimumin dhe të luajë në formacion, por gjithmonë e kam thënë: çdo herë që futem, që nga minuta e parë te minuta e fundit, apo edhe pesë minutat e fundit, gjithmonë jap më të mirën.

Mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali më 2014 dhe e kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë”.