Presidenti amerikan Joe Biden po planifikon të shpenzojë 5 miliardë dollarë për të blerë ilaçin e ri antiviral kundër Covid-19, që është në fazë eksperimentale, të kompanisë Pfizer.
Sasia e blerë pritet të jetë e mjaftueshme për të trajtuar 10 milionë raste. Njoftimi u dha një ditë pasi kompania Pfizer nënshkroi me një agjenci të OKB-së një marrëveshje për ta dhënë falas liçensën e ilaçit të ri për t’u prodhuar në 95 vende, që përbëjnë 53 për qind të popullsisë së botës.
Pfizer thotë se ilaçi i ri, i quajtur “Paxlovid,” ul me 90 për qind vdekjet dhe shtrimet në spital të personave që kanë simptoma të lehta deri në të moderuara të kovidit. Pfizer i kërkoi të martën Agjencisë së Barnave dhe Ilaçeve (FDA) të miratojë përdorimin e ilaçit të ri. Një tjetër kompani farmaceutike amerikane, Merck, ka rënë dakord që ilaçi i saj anti-viral t’u jepet falas 105 vendeve të varfra.
Merck thotë se ilaçi i saj ul me 50 për qind rrezikun për rastet e rënda të kovidit, nëse merret menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para. Administrata amerikane ka parashikuar të blejë 3.1 milionë doza të ilaçit të firmës Merck për 2.2 miliardë dollarë.
Agjencia e Barnave pritet të takohet më 30 nëntor për të shqyrtuar dhënien e miratimit për ilaçin. Agjencia rregullatore britanike e miratoi atë në fillim të muajit.