Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka folur për gazetarët menjëherë pas verifikimit të firmave të delegatëve, duke deklaruar se 98% e firmave u konfirmuan nga bisedat telefonike që pati me ta.
Shehaj shkoi ditën e sotme në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, për të telefonuar delegatët e degës 5 dhe 7, ku ai bëri fushatë për zgjedhjet e 25 prillit, të cilët i ka pyetur nëse kanë firmosur vërtetë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në datë 11 dhjetor.
Sipas Agron Shehajt, firmat i kanë konfirmuar 98% e delegatëve. Ai shtoi se për thirrjen e kuvendit në këtë datë kanë firmosur 56% e delegatëve të degës 7 dhe 58% e degës 5, gjë e cila bën që Kuvendi i 11 dhjetorit të jetë legjitim.
Së fundmi, Agron Shehaj konfirmoi para kamerave se do të jetë në Kuvendin e thirrur nga Berisha sepse kjo është ajo që duan demokratët.
“Shkova per te pare si ishte konkretisht situata. 98% konfirmuan se firma është e tyre dhe se kanë firmosur. Nuk kontaktova dot me te gjithe. Fola me mbi 100 delegatë. Sipas numrave që pashëe janë 56% e delegatëve të degës 7 dhe 58% të degës 5 kanë firmosur për kuvendin e datës 11. Këto numra tregojnë qartë se kuvendi i datës 11 është legjitim. Unë jam i detyruar të shkoj, sepse nëse demokratët vendosin, unë absolutisht do të shkoj”, tha Shehaj.