Nga Mero Baze/ Nuk di kush ja ka futur në mendje Liri Berishës të shfaqet në publik, si njëra prej atyre që ka njohur Nënë Terezën. Ndoshta nevoja që ka pasi është damoksur tanimë nga Departamenti i Shtetit si një grua e korruptuar, që ka përfituar nga pushteti i burrit të saj.
Nuk është hall i vogël. Por as guximi për ta hequr këtë imazh, duke botuar kujtime mediokre se si e ka takuar Nënë Terezën si grua e Sali Berishës, nuk është i vogël. Duket qartë që është guxim i njeriut, e cila ka shumë pak mundësi të ikë nga kjo jetë, ashtu siç ka ëndërruar, kur ishte në kulmin e pushtetit dhe shkelte me këmbë shqiptarët e thjeshtë.
Si grua e njeriut që ka bërë çfarë ka dashur këto 30 vite në Shqipëri, herë si president, herë si kryeministër, e herë si opozitar, Liri Berisha natyrisht ka pasur mundësinë të takojë shumë njerëz, nga më të famshmit e botës, e deri tek më kriminelët. Të gjithë i janë dashur për diçka. Por jo të gjithë i duhen për ta shpëtuar nga ky hall që e ka zënë.
Keqkuptimi i saj është se mund ta shpëtojë Nënë Tereza, për të cilën nuk jam i sigurtë nëse e ka mbajtur mend që e ka takuar ndonjëherë, edhe pse ka dalë në fotografi si grua e Sali Berishës.
Nënë Tereza dhe Liri Berisha janë dy botë të ndryshme, aq larg njëra- tjetrës, sa për një moment ti e kupton se nëse në botë nuk do të kishte politikanë të këqinj dhe gra të këqija politikanësh të pangopur si Sali Berisha, ndoshta nuk do ekzistonin as shenjtore si Nënë Tereza. Nënë Tereza ka ardhur në këtë botë, ta bëjë atë më të mirë për shkak të asaj që i kanë bërë politikanë si Sali Berisha.
Nënë Tereza është futur mes plumbave për të ndalur luftën dhe për t’u dhënë pak ujë e bukë fëmijëve të terrorizuar. Liri Berisha ka mbështetur djalin e saj të shesë plumba dhe ta mbrojë atë nga drejtësia, edhe pse ka hedhur në erë Edisonin e vogël, i cili ishte duke luajtur me biçikletë dhe 25 viktima të tjera të pafajshëm.
Ajo, pra Liri Berisha, kurrë nuk është penduar për këtë tragjedi dhe kurrë nuk u ka kërkuar ndjesë atyre viktimave. As motrës së saj që humbi burrin aty.
Nënë Tereza ka luftuar të shërojë çdo fëmijë dhe të sëmurë në gjithë botën, ndërsa kjo ka përdorur çdo fëmijë të sëmurë të prekur nga autizmi, për t’u shfaqur si bamirëse dhe për të rreshtuar biznesmenët në “darkat mondane” të regjimit të burrit të saj, të cilët nga paniku blinin 100 mijë euro një pikturë dhe harronin ta merrnin kur iknin.
Nënë Tereza ishte armiku i çdo batakçiu në botë, armiku i çdo krimineli apo pushteti të korruptuar, ndërsa gruaja në fjalë, i doli zot Rezart Taçit dhe pozonte krah tij, tribunë më tribunë nëpër ankande bluzash sportive, nga 25 mijë euro copa, vetëm pasi ky i fundit dha prova se u përfshi në një akt dhune të shëmtuar ndaj meje dhe dy kolegëve të mi gazetarë, kritikë me pushetin e burrit të saj.
Nënë Tereza është njeriu që ka duruar humbjen e familjes së saj, mos takimin me nënën, motrën dhe vëllain për shkak të misionit të saj shpirtëror, ndërsa kjo ka shitur shpirtin për t’i dalë zot krimeve të familjes së saj, burrit që ka vrarë për pushtet në mes të bulevardit, djalit që i është fshehur drejtësisë dhe një vajze që ka bërë miliona me firmën e babait në pushtet.