Serxhio Aguero nuk do të kthehet më në fushat e blerta, pasi ka vendosur që t’i japë përfundimisht lamtumirën futbollit të luajtur. Lajmi vjen nga Spanja, ku konfirmohet se gjithçka do të zyrtarizohet me një njoftim të sulmuesit, ndërsa do të ketë edhe një konferencë për shtyp në të cilët do të sqarojë vendimin e tij.
Gjithçka është pasojë e problemeve me zemrën që ka kaluar së fundmi lojtari i cili në verë iu bashkua Barcelonës, por asgjë nuk shkoi ashtu siç shpresonte ai. Sulmuesi argjentinas shkoi te katalanasit për të bërë realitet ëndrrën e tij për të luajtur përkrah Mesit, por pak javë më vonë shoku i tij te përfaqësuesja e Argjentinës i dha lamtumirën Barçës.
Më pas, ai pësoi dëmtime të njëpasnjëshme duke mos arritur të luante rregullisht me Barcelonën e në fund, erdhi edhe ky problem kardiak që tashmë duket se i jep fund karrierës së tij.
Gazetari i njohur spanjoll, Gerard Romero, ka bërë të ditur në “Catalunya Radio” se problemet me zemrën ia bënin të pamundur Agueros që të vazhdonte si sportist profesionist dhe këtë ia kanë konfirmuar mjekët. Edhe pse ky lajm u përgënjeshtrua një herë nga lojtari i cili bëri të ditur se ishte nën trajtimin e mjekëve, tani kanë dalë në pah detaje të terja.
Sot Romero ka bërë të ditur se vendimi për t’u tërhequr është përfundimtar dhe përveç të tjerave, është caktuar edhe një konferencë në javën e ardhshme ku do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Vendimi ka ardhur pas një takimi me mjekët e Argjentinës në javët e fundit, ku i kanë konfirmuar se nuk mund të zbresë më në fushën e blertë si profesionist.