Grupi për PD-në, Edit Harxhi, e konsideroi vendimin e fundit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha për zgjedhjet për Forumin Rinor të PD-së, si dhunim i statusit të PD-së.
Përfaqësuesja e grupit për PD-në, Edith Harxhi, deklaroi se Lulzim Basha vazhdon çdo ditë e më tepër të dhunojë statutin e Partisë Demokratike.
“Shpallja mbrëmë e zgjedhjeve për Forumin Rinor të PD-së është shkelje e rëndë dhe mbi të gjitha hakmarrje e sëmurë. Ai ka shkelur statutin edhe më parë gjatë hartimit të listave klienteliste për deputet, kur nuk përfshiu sipas statutit 5% nga Forumi Rinor në listat fituese. Do t’i largojë edhe këta të rinj e të reja që shpresën për të jetuar në këtë vend e shohin tek e djathta shqiptare. Ai qëllimshëm vazhdon çdo ditë rrënimin e partisë. Ka të njëjtin instruktor dhe padron si Rama, Vuçiç dhe Zaev”, shprehet ajo.
Po ashtu, Harxhi shtoi se Partia Demokratike është aset kombëtar dhe si e tillë, parim kryesor për të duhet të jetë çështja kombëtare.
“Si mund të ndodhë që ka një javë që Ballkani zien për aventurën e fundit të Edi Ramës në Beograd dhe të ashtuquajturën Open Balkans dhe ajo çfarë ka mbetur nga PD-ja në selinë qendrore nuk del me një qëndrim. Këta janë kaq të korruptuar sa që edhe çështja kombëtare nuk ka më vlerë, shesin e blejnë gjithçka. Si mundet të votohet për borxhin e ri, Eurobondin 770 milionë dhe si mund t’i bëjnë votat bashkë këta njerëz paskrupuj moral, kur e dinë që ky borxh shkon në dëm të qytetarëve shqiptarë. Edhe kjo është pjesë e çështjes kombëtare sepse cenon drejtpërdrejtë liritë dhe varfëron qytetarët e Shqipërisë. Duhet t’i ndalim sa më parë këta shkatërrues të vazhdueshëm të jetës sonë. Të ngrihemi të protestojmë si popull i kulturuar dhe t’i vëmë fre kësaj tragjikomedie. Një parti e pastër konservatore me qëllimin e kthimit të shpresës së shqiptarëve dhe hapjes drejt rinisë është zgjidhja”, shprehet ajo.