Shqipëria arriti të fitonte ndeshjen e fundit kualifikuese të Botërorit “Katar 2022” kundër Andorrës, teksa në këto eliminatore ka arritur të grumbullojë 18 pikë.
Asnjëherë më parë në histori kombëtarja jonë arriti të siguronte 18 pikë, duke siguruar kështu edhe vendin e tretë në grupin I, që ishte edhe objektivi kryesorë.
Pas kësaj fitoreje të kombëtares tonë ka reaguar në rrjetet sociale edhe Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili është shprehur i lumtur për këtë arritje të skuadrës, ndërsa thekson se është ndërtuar një ekip me elementë të rinj që kërkon vëmendje dhe mbështetje nga të gjithë.
“Mbyllëm sot eliminatoret e Botërorit “Qatar 2022”, pas një fitore të mundshme, por shumë të rëndësishme, ndaj Andorrës në Tiranë.
Përfunduam një rrugëtim përgjithësisht pozitiv ku si asnjëherë në histori siguruam 18 pikë. Morëm 6 fitore, rinovuam skuadrën, ju dha hapësirë elementëve të rinj dhe sot kemi një skuadër me një moshë mesatare ndër më të rejat. Jemi gjithashtu koshient se paraqitja me Anglinë ishte shumë larg asaj që ne pretendojmë nga kjo skuadër, apo humbjet me Poloninë sollën zhgënjim të madh, por është koha të shikojmë me besim përpara.
Kemi hedhur baza të forta, kjo skuadër duhet mbështetur. Me punë, ashtu siç kemi treguar gjithmonë, ne do t’i arrijmë objektivat tonë, ato për të qenë protagonist në futbollin europian dhe për të çuar Shqipërinë në Euro2024”, shkruan Duka.