Së bashku me trajnerin Reja, në konferencën para ndeshjes së të premtes ndaj Anglisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit të vitit të ardhshëm, ishte edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi.

Ai u shpreh se ekipi duhet të tregojë grintë gjatë gjithë ndeshjes për të arritur një rezultat pozitiv ndaj një prej kombëtareve më të forta në botë.

“Ndeshja e nesërme do të jetë një nga ndeshjet më të vështira që kemi pasur kohët e fundit. Duhet me patjetër që të përsërisim shpirtin e garës, disiplinën taktike në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresoj se kjo është mënyra më e mirë për të marrë rezultat nesër.

Në fakt në çdo vend që kemi luajtur në transfertë, tifozët nuk kanë munguar. Mund të kujtojmë shumë stadiume ku kanë qenë të pranishëm. Janë shtysë për ne, e dimë që do të kemi mbështetjen e tyre duke qenë bashkë mund të arrijmë gjëra të bukura e të mira, do të jetë shtysë për ne nesër dhe uroj që në fund tre ndeshjet të dalin të kënaqur nga rezultati ose nga shpirti i skuadrës në fushën e lojës.

Ne e dimë se çfarë lloj lojtarësh ka Anglia dhe çfarë cilësisht kanë, ne e dimë që Anglia erdhi dhe fitoi në Shqipëri, por ky është futbolli dhe sidomos në ditët e sotme nuk varet vetëm nga cilësia, por edhe nëse ke shpirtin për të dhënë gjithçka në fushë, nëse ke agresivitetin ën fushë. Mendoj se cilësia nuk mund të fitojë çdo herë. Kjo është ajo që dua nga vetja dhe ekipi, por nesër duhet të jemi taktikisht të disiplinuar dhe të tregojmë gjakun shqiptar në fushë”, u shpreh Cikalleshi.