Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në një letër Kuvendit, kërkon ndryshime ligjore për mandatin e prokurorëve.
Në letrën e SPAk thuhet se në përfundim të mandatit është e vështirë të gjendet një grup tjetër prej 20 prokurorësh dhe sipas tyre 9 vite janë pak, ndërsa të gjithë prokurorët e tjerë nuk e kanë mandatin e kufizuar.
“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke u konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të plotësimit të saj me kapacitetet njerëzore dhe teknike të nevojshme. Rezultatet e saj janë në rritje të vazhdueshme, gjë që konfirmohet nga të dhënat statistikore të vitit 2020, por sidomos të vitit 2021 (janar-shtator 2021).
Konstatohet rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të regjistruara, rritje e numrit të rasteve të procedimeve penale të dërguar për gjykim, rritje e numrit të rasteve të dënimeve dhe konfiskimeve me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Nga vlerësimi që kemi konstatuar gjatë periudhës dy vjeçare nga momenti i krijimit të Prokurorisë së Posaçme, mendojmë se është e domosdoshme që të bëhen disa ndryshime ligjore në funksion të rritjes së efektivitetit të punës së SPAK”- shkruhet në shkresë ku listohen prozimet e SPAK për ndryshimet ligjore.