Një studim i ri mbi pluhurin hapësinor tregon se uji në Tokë mund të jetë krijuar dikur në hapësirë me ndihmën e erës diellore, rrymës së grimcave diellore të ngarkuara që Dielli lëshon vazhdimisht. Për herë të parë, ka prova të forta që “ylli ynë” mund të ketë luajtur një rol kyç në praninë e ujit në planetin tonë, pasi duket se “era” e tij është në gjendje të rrezatojë dhe të kthejë kokrrat në ujë.
Studiues nga vende të ndryshme, të udhëhequr nga Luke Daly i Shkollës së Gjeografisë dhe Gjeoshkencave në Universitetin e Glasgow, i cili botoi punimin në revistën Nature Astronomy, analizuan mostrat e marra nga anija japoneze “Hayalebusa” Itokava “në vitin 2010, përcjell abcnews.al.
Duke përdorur teknikën e tomografisë atomike, ata matën strukturën e kokrrave të pluhurit të asteroidit dhe zbuluan molekulat e ujit. Këto të fundit u formuan kur jonet e hidrogjenit nga era diellore u përplasën me grimcat e pluhurit nga shkëmbi hapësinor, duke ndryshuar përbërjen e tyre kimike.
“Me kalimin e kohës, ndikimi i joneve të hidrogjenit të kombinuara me atomet e oksigjenit nga materialet shkëmbore krijojnë ujë të bllokuar brenda asteroidit ,” tha Daly. Molekulat e ujit që gjenden në asteroidin “Itokava” janë të ngjashme për nga izotopet me molekulat e ujit në Tokë.
Studiuesit spekulojnë se kjo mund të jetë përgjigja e teorisë më të vjetër se asteroidët sollën ujë në planetin tonë kur ranë mbi të. Profesori Phil Blunt i Universitetit të Curtin në Australi vlerësoi se në Itokawa u zbulua mjaftueshëm ujë ekuivalent me 20 litra ujë për metër kub shkëmb, kështu që është e mundur që një sasi e konsiderueshme uji të transportohej në Tokë nga asteroidët miliarda vjet më parë.
Ndërsa agjencia hapësinore amerikane (NASA) dhe agjencitë e tjera hapësinore përgatiten të krijojnë baza të përhershme në Hënë, zbulimi hap rrugën për pompimin e ujit direkt nga pluhuri në sipërfaqen e hënës ose planetëve në të ardhmen.
Studiuesit presin të studiojnë mostrat e reja të mbledhura nga anija kozmike japoneze “Hayabusa 2” dhe të sjella në Tokë në vitin 2020, në mënyrë që të konfirmojnë teorinë e tyre.