Një stuhi e fortë dëbore ka zbardhur pjesë të tëra të veriut të Kinës, përfshirë dhe kryeqytetin, duke krijuar kaos dhe trafik në rrugë, vonesë trenash e anulime fluturimesh.
Temperaturat zbritën brenda ditës nën zero, thonë mediat vendase teksa një front i ftohtë është zhvendosur nga perëndimi drejt lindjes, duke sjellë në Pekin e qytete të tjera, një borë që sipas ekspertëve është shumë e parakohshme.
Qendra kineze e Metereologjisë lëshoi një alarm portokalli për stuhi të mëtejshme të këtij lloji. Ky është alarmi i dytë më i fortë në sistemin me katër shkallë të paralajmërimit nga moti i keq në Kinë.
Në disa zona, mësohet se trashësia e borës kapërcen 30 centimetrat. Pavarësisht shqetësimeve të shumta që shkaktoi, dëbora gëzoi nga ana tjetër organizatorët e Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen shkurtin e vitit të ardhshëm në kryeqytetin kinez, pistat e të cilëve u mbuluan prej saj.
Pekini ka zakonisht një klimë mjaft të thatë dhe shumica e borës së përdorur nëpër gara është artificiale.