Në një letër të hapur drejtuar Kongresit të SHBA-së, talebanët i bëjnë thirrje SHBA-së që të adresojë krizën e vazhdueshme humanitare dhe ekonomike në Afganistan.
Letra e nënshkruar nga ministri i Jashtëm taleban, Amir Khan Mutaqi i kërkon Uashingtonit të lirojë asetet e Bankës Qendrore afgane.
“Për momentin, sfida themelore me të cilën përballet populli ynë është siguria financiare dhe rrënjët e këtij shqetësimi kthehen në ngrirjen e aseteve të popullit tonë nga qeveria amerikane”, thuhej në letrën e botuar.
”Talebanët kanë frikë se nëse situata aktuale mbizotëron, kjo do të çojë në migrim masiv dhe do të dëmtojë sektorët e shëndetësisë dhe arsimit të vendit”, shtohet në të.
“Vuajtja e një fëmije nga kequshqyerja, vdekja e një nëne nga mungesa e shërbimeve shëndetësore, privimi i ushqimit, strehimit, ilaçeve dhe nevojave të tjera bazë në një komunë afgane nuk ka asnjë justifikim politik apo logjik dhe është i dëmshëm për prestigjin e qeverisë dhe popullit të SHBA, sepse kjo është një çështje e pastër humanitare”, thuhet në deklaratë.
Kur talebanët morën pushtetin në vend në gusht, shumica e ndihmave për Afganistanin u pezulluan.
Rreth nëntë miliardë dollarë në rezervat e Bankës Qendrore të vendit, shumica e të cilave në bankat amerikane, u ngrinë.